Ajo që po ndodh sot në katër komunat me popullatë serbe nën juridiksionin e shtetit të Kosovës, është kollaj e rregullueshme nga pikëpamja e logjikës së shëndoshë: në kushtet e obstruksionit permanent të asaj popullate, favorizuar nga një shtet racist dhe kriminal dhe nga vijimësia territoriale mes atyre tokave dhe atij shteti, pra ajo popullatë (rrjedhimisht ai territor) lejohet të zhvendoset tek ai shtet, me çdo kusht me kushtin që e njëjta gjë (pavarësisht mungesës së obstruksionizmit) të bëhet edhe me popullatën shqiptare nën juridiksionin e shtetit serb, pra dhe kjo popullatë (e rrjedhimisht dhe ai territor) të lejohet të zhvendoset në shtetin kosovar.
Procedura dhe klauzolat negociohen nën rreptësinë e reciprocitetit të vetëkuptueshëm dhe pas kësaj dy popullsitë dhe dy shtetet rrinë kundruall njëri-tjetrit në kushte neutraliteti, ftohtësie dhe vigjilence (madje detante të armatosur sa e gjithë sa, nuk shoqërohet me ndjesë botërore prej Serbisë për masakrat, gjenocidin dhe deportimin shtazarak të mbarë një populli). Mbetet kjo një zgjidhje e arsyeshme përsa ky obstruksion konstant, është premisa dhe shkaku, e jo pasoja e simptoma.
Sigurisht ky obstruksionizëm është një sëmundje kronike e sistemit gjeopolitik aktual konceptuar si sistem shteteshkomb, e si shërim për të shkëmbimi i territoreve, e cila zgjidhje, ve në krizë themelet e ekzistencës së sistemit; prandaj paraqitet e vështirë e deri e pështirë ideja e këmbimit të territoreve, sepse sugjeron idenë e një sistemi që bren veten.
E duke qenë të penguar për ta normalizuar anomalinë, nga vetë sistemi që e përfton këtë anomali, në këto momente shqiptarët dhe mendja shqiptare janë të çoroditur në kërkim të zgjidhjeve secila më e panatyrshme, ose më utopike, ose më e padurueshme se tjetra. Provë se mendja shqiptare ka humbur qartësinë në lidhje me kuptimin dhe ligjësitë e disa prej fenomeneve gjeopolitike më bazike e rrjedhimisht pëson të qenët një bashkësi e frustruar, e papeshë dhe gati e pavlertë e e pakuptimtë.
Në këto kushte është njësoj emergjente edhe të zgjidhet obstruksionizmi i popullatës serbe në anën veriore të shqiptarëve, edhe të shmanget deprimimi i mendjes shqiptare nga përballja pa filtra me thelbin dogmatik të sistemit të sotëm botëror. Në fakt e vërteta është se këto dy emergjenca janë dy anë të së njëjtës medalje dhe nuk zgjidhen veçeveç por bashkë. Siç e vërtetë është për natyrën e të gjithë çështjeve të rëndësishme, pra se kërkojnë njëkohësisht reformim të realitetit dhe të mendjes që i jep formë realitetit, dhe atëherë kur në historinë e shqiptarëve kjo ka ndodhur, kemi patur çlirim dhe përparim të çështjes shqiptare; dhe në të kundërt (pra kur është synuar vetëm reformimi i realitetit pa atë të mendjes), e kemi patur çështjen shqiptare të lënë djerrë, siç është shumë pranë këtij rreziku sot.
Ndaj sot, ta ushtrosh çështjen shqiptare do të thotë që sa sa pandërprerë demonstrohet se në kushtet e obstruksionizmit këmbimi i territoreve është zgjidhje optimale (e çkurdisja e obstruksionizmit – mënyra sesi e së cilës, aktualisht e ka kaluar politikën ndërkombëtare në misticizëm – zgjidhja tjetër), kjo e ndih mendjen të rigjejë kuptimin e përhershëm të koncepteve të tilla bazë si lufta, armiku, aleancat, territori, kolaboracionizmi.
Çka vijon, synon të jetë shumë modeste, një përpjekje e tillë.
Mbi luftën
Në të vërtetë qëndrimet e Serbisë gjatë këtyre viteve, që obstruksionin e popullatës serbe brenda Kosovës e kanë shoqëruar dhe mbështetur me deklarata kërcënuese dhe me afrim të ushtrisë pranë kufirit me Kosovën, do të duhej të ishin të mjaftueshme që shqiptarët të dekodonin mesazhin që për serbët Kosova nuk ishte humbur, sepse ata (serbët) nuk kishin humbur një luftë me shqiptarët, por me NATO dhe SHBA. Për pasojë lufta për Kosovën duhet ribërë apo mund të ribëhet nga momenti në moment, si një luftë e drejtpërdrejtë serbo – shqiptare. Kësaj gatishmërie të shprehur për luftë të Serbisë, pala shqiptare nuk iu ka përgjigjur praktikisht aspak, duke u fshehur pas juridiksionit të KFOR- it. Kjo pagatishmëri, ky kujdes i pakuptim apo madje kjo moskurajë për t’iu përgjigjur kërcënimit me kërcënim, nuk është gjë tjetër vetëm shprehje e humbjes së marrëdhënies së mendjes shqiptare me luftën, shoqëruar me shpresën e rreme se lufta mund të shmanget, të gënjehet, t’i bëhet hile, mjaft t’mos mendosh apo të përgatitesh për të. Është ky gabim i madh faktori kryesor që ka fuqizuar pozitën e Serbisë dhe fuqinë e saj negociuese dhe ka dobësuar pozitën e Kosovës dhe të fuqisë së saj negociuese.
Vërtet lufta është hile, por kjo do të thotë se në luftë ndryshe se në paqe hilja është e lejuar, pra mund të bësh hile, por nuk do të thotë se mund t’i bësh hile luftës. Pra nuk mund ta shmangësh një luftë që të pret rrugën: ose do ta bësh atë, ose do të dorëzohesh. Jo se nuk mund t’i shmangesh (pra t’i bësh hile), por çmimi për këtë është humbja pa luftë e objektit të synuar nga lufta dhe luftëbërësi. Dhe humbja pa luftë do të thotë praktikisht shkatërrim i mundësive për revansh, rimarrje dhe rikthim.
Në thelb çdo luftë paraprihet përmes një praktike ligjërimore (deklaratë, kërcënim, paralajmërim, me: korrier, letër, delegacion, ndërmjetësues),(që ajo vetë duke paralajmëruar dhunë, është po ashtu dhunë) që nuk ka vetëm vlerë formale, por në fakt shpesh e kushtëzon e madje e zëvendëson luftën. Prandaj çështja e luftës, në thelb është një çështje ku diferenca mes realitetit dhe perceptimit praktikisht nuk ekziston, sepse gatishmëria për luftë (pra refuzimi i hileve të pambarimta për mostakim me të) është diçka që ekziston së brendshmi në mendje e së jashtmi në deklarata, e duke qenë mendja e panjohshme sëjashtmi e deklaratat të papërgënjeshtrueshme tjetërlloj vetëm se me kundërdeklarata, e vetmja mundësi që deklaratat për luftë të agresorit të zhvlerësohen është replikimi e tyre nga pala tjetër, me deklarata të njëjta gatishmërie për luftë. Sepse për palën që kërcënohet me luftë nuk ka rëndësi të dijë se pala kërcënuese e ka vërtetësinë e luftës në mendje apo jo, por të dëshmojë se kërcënimi mjafton të thuhet dhe ndodh (e s’ka kuptim të sillesh sikur kërcënimi ka të bëjë me përmbushjen e aktit që paralajmëron – kjo përmbushje është pikërisht tjetër gjë lufta).
Me këtë replikim, mundet që pala e parë të tërhiqet nga qëndrimet luftëdashëse, e gatishmëria për luftë rezulton e rreme. Apo të vazhdohet me deklarata e kundërdeklarata që ose konservojnë gjendjen ekzistuese, ose herët a vonë prodhojnë realisht luftë. Por në çdo rast më mirë se të humbasësh pa luftë diçka që je paralajmëruar e kërcënuar paraprakisht. Ky është rasti kur që humbja të ndodhë duhet të shoqërohet me harresë, pra të humbësh edhe një pjesë të kujtesës e të ndryshosh në tërësi çfarë ndodh në zonën e të menduarit.
Duke qenë se kurrë nuk mund t’i bësh hile luftës, prandaj po ashtu është e pashmangshme të bëhen luftëra të shmangshme, pra mjafton që të deklarohet gatishmëria për luftë pa bindje në mendjen e deklaruesit, që pas këtij momenti lufta me të vërtetë të ndodhë. Dhe po ashtu, nëse gatishmëria në mendjen e deklaruesit të luftës është e vërtetë, ka shumë mundësi që lufta të shmanget, pra që të jetë i vërtetë edhe paradoksi i anasjellë, pra që është e pashmangshme të shmangen luftëra të pashmangshme. Dhe vetëm pas këtyre dy mundësive, si pjesë e një skeme me tre mundësi, shfaqet mundësia e luftërave të pashmangshme të pamundshme për t’u shmangur. Që do të thotë se vetëm një pjesë e luftërave janë të tilla, pra që nuk mbillen në të rreme, por përkundrazi ndodhja e të cilave shpjegohet përmes domosdoshmërisë së rendit të gjërave.
Fakti që kemi dy lloj luftrash: luftra që në zanafillë kanë qenë të pambështetura tek mendja e luftëdashësit dhe shfaqen si lojë ligjërimore, pra luftra që ndodhin pa u synuar realisht dhe luftra që mbështeten në një gatishmëri të qartë të mendjes, do të thotë paradoksalisht që edhe në mos ndodhshin luftrat e llojit të dytë, do të ndodhin gjithmonë luftrat e inercisë, pra ata të llojit të parë. Dhe që se, pa asnjë ekuivok, luftrat gjithsesi ndodhin, janë të pashmangshme, të bashkëlidhura me natyrën e komunikimit njerëzor (krejt e kundërta e mendimit të rremë dominues, që përderisa ekzistojnë luftra të pasynuara realisht prej mendjes, luftrat janë të gjitha të padomosdoshme, të padëshirueshme, të pashpjegueshme).
Kështu tek luftrat e domosdoshme për të ndodhur bëjnë pjesë edhe luftrat e së keqes, synimi i të cilave është dominimi, dhuna, masakra, duke qenë se si rregull në mendjen e atij që i synon gatishmëria për ta kryer të keqen është e plotë; (mjafton kjo gatishmëri mendore që të kuptohet se ta shmangësh luftën në këtë rast do të thotë t’i hapësh rrugë së keqes dhe të lejosh që njerëzit të dhunohen e dëmtohen e bota të bëhet një vend më i keq.
Sepse këto janë të njëjtat luftra, që të shikuara nga perspektiva e palës së sulmuar, janë luftrat që bëhen për vetëmbrojtje apo për të mbrojtur të dobëtit dhe të pamundurit.) E po njëlloj bëjnë pjesë edhe luftrat e inercisë, pra që nisin me një deklaratë të pambështetur nga gatishmëria e brendshme në mendjen e deklaruesit (është e vërtetë që deklarata e replikuar me deklaratë mund të mjaftojë për shmangien e luftës përmes kërcënimit frikësues reciprok, por po ashtu është e vërtetë se po me aq gjasë të konkludojë me luftë për të mbuluar pikërisht këtë frikësim: e tillë është e domosdoshme, sepse është mundësia e fundit për të shmangur riciklimin e pambarimtë të falcifikimit dhe bullizmit).
Mospërgjigjja ndaj deklaratave të luftës së Serbisë, nuk ka rëndësi nëse gatishmëria për luftë e tyre është e rreme apo jo, i lejon Serbisë të futë një parim falcifikimi në raportin e forcave, prej të cilit ajo përfiton gjithë çfarë do edhe pa luftë, kurse shqiptarët dorëzojnë çfarë tashmë kanë, vetëm e vetëm që të shmangin me çdo kusht edhe vetëm dyshimin se ata mund të jenë të gatshëm për ndonjë luftë. Nëse pala shqiptare nuk e ka si opsion luftën kur atë ia sjellin në derë përmes një histerie ciklike, atëherë është thjesht çështje kohe se kur Serbisë do t’i mjaftojë thjesht të zgjatë dorën (pas një marrëveshje të bërë me palët e treta – fuqitë e mëdha) e ta marrë zonën në veri të Mitrovicës.
Të vihet re sesi kryeministri i Kosovës nuk ka bërë asnjëherë kundërdeklarata lufte, por kjo është një hile lufte (sepse sjellja në terren ka qenë adekuate përgjigje e një gjendje lufte) dhe jo një hile luftës.
Të vihet re sesi kryeministri Shqipërisë kur flet për deklaratat e luftës së Serbisë ( jo duke i dënuar por duke i komentuar: “kërcënimet e Serbisë për luftë janë hipotetikisht si të Meksikës ndaj ShBA”) flet si bashkëpunëtor me Serbinë, sipas skemës polic i mirë, polic i keq, pra duke e relativizuar kërcënimin pasi efekti i synuar prej kërcënimit, pra transmetimi i dhunës, ka ndodhur.
*** Shënim – Qëndrimet e autorit jo detyrimisht përfaqësojnë qëndrimet e redaksisë.