Shëndeti mendor dhe tregu i punës

  • Një mjedis jo i shëndetshëm i punës, i karakterizuar nga situata të tepërta stresuese, orë të gjata të punës dhe mungesa e mbështetjes, mund të përkeqësojnë mirëqenien mendore.
  • Ankthi, depresioni dhe stresi, mund të pengojnë ndjeshëm aftësinë e një individi për të performuar në mënyrë optimale. Punonjësit që ballafaqohen me probleme të shëndetit mendor shpesh hasin në vështirësi në koncentrim, vendim-marrje dhe përfundim të detyrave, duke rezultuar në zvogëlim të efikasitetit dhe produktivitetit të përgjithshëm brenda organizatës.
  • Hulumtimet tregojnë se çështjet e shëndetit mendor u kushtojnë bizneseve miliarda euro çdo vit përmes rritjes së shpenzimeve të kujdesit shëndetësor, mungesave në punë, jo-produktivitetit dhe papunësisë.

Gjatë dekadave të fundit, e sidomos në vitet e fundit, kemi dëgjuar shumë për problemet e shëndetit mendor, efektet dhe pasojat e tij në jetën tonë. Mirëpo, çuditërisht kur i referohemi pasojave të problemeve të shëndetit mendor, ekziston tendenca e të menduarit për pasojat individuale, e shumë më pak për ato shoqërore, dhe gati fare për efektin e tyre në tregun e punës. Shpesh këto mendime ndoshta janë rrjedhojë e qasjes se “problemet e shëndetit mendor jane pasojë e industrializmit si koncept dhe punës si aktivitet”. Mirëpo, në anën tjetër, ekziston mbështetje nga literatura edhe për postulatin që shëndeti mendor afekton punën. Pavarësisht dilemës se a ndikon shëndeti mendor në punë apo puna në shëndetin mendor, studimet kanë treguar se ekziston një ndikim në të dyja drejtimet: shëndet mendor në punë dhe punë në shëndet mendor (për më shumë lexo: Afonso et al., 2017; Bubonya et al., 2017; Cayuela, 2018; Dawson et al., 2015).

Puna në thelb siguron individëve një ndjenjë qëllimi, jap siguri financiare, angazhim social dhe mbi të gjitha krijon një identitet. Mirëpo, nën sipërfaqen e sigurisë, arritjes së suksesit dhe krijimit të identitetit, shumë individë luftojnë në heshtje me problemet e shëndetit mendor. Stresi, ankthi dhe depresioni shpesh ecin “krah për krah” me ndjekjen e qëllimeve të karrierës dhe mund të jenë prezente tek individët në të gjitha nivelet e forcës punëtore. Pra, është fakt që një mjedis jo-i-shëndetshëm i punës, i karakterizuar nga situata të tepërta stresuese, orë të gjata të punës dhe mungesa e mbështetjes, mund të përkeqësojnë mirëqenien mendore.

Nëse shohim nga këndveshtrimi tjetër- se shëndeti mendor afekton punën, studimet shkencore kanë treguar se ulja e produktivitetit, është një nga mënyrat kryesore në të cilën shëndeti mendor ndikon në punë.

Për shembull, ankthi, depresioni dhe stresi, mund të pengojnë ndjeshëm aftësinë e një individi për të performuar në mënyrë optimale. Punonjësit që ballafaqohen me probleme të shëndetit mendor shpesh hasin në vështirësi në koncentrim, vendim-marrje dhe përfundim të detyrave, duke rezultuar në zvogëlim të efikasitetit dhe produktivitetit të përgjithshëm brenda organizatës. Ky zvogëlim në produktivitet jo vetëm që ndikon në performancën individuale, por rrjedhimisht ka efekt përbrenda ekipit dhe organizatës. Për më tepër, nga studimet e Giorgeta et al., (2012) dhe Maner et al., (2007) potencohet se personat që kanë çrregullime depresive janë të shoqëruar shpesh me ide negative për vetveten dhe pritshmëri pesimiste për të ardhmen. Këto mendime negative dërgojnë deri te dekurajimi nga sfidat që hasin në punën aktuale dhe si rezultat, punonjësit mund të jenë fizikisht të pranishëm, mirëpo me efektivitet të ulët në punë. Dhe siç e dijmë, produktiviteti i ulët ka pasoja negative në suksesin e organizatës. Për të njejtën arsye, shumë individ mund të zgjedhin të largohen nga puna, duke ngritur kostot për rekrutim dhe trajnim në njerën anë, dhe duke shkaktuar humbje të përvojës dhe njohurive të çmuara të organizatës në anën tjeter.

Në fakt, ndikimi i sfidave të shëndetit mendor tejkalon jo vetëm individin, por edhe organizatën, duke e shtrirë ndikimin e tij deri tek ekonomia dhe shoqëria e gjerë. Për shembull, humbja e vendit të punës për një person me probleme të shëndetit mendor nënkupton një vend pune më pak, e që ky fenomen nëse vazhdon do ta shtoj nivelin e papunësisë. Kjo pastaj mund të dërgoj në një fenomen aksion-reaksion, ku të qenit pa punë po ashtu përbën një rrezik për shëndetin mendor. Papunësia, pasiguria e punës dhe pasiguria financiare janë faktorë rreziku në mes tjerash edhe për tentativat për vetëvrasje (Vandoros & Kawachi, 2021).

Për më tepër, hulumtimet tregojnë se çështjet e shëndetit mendor u kushtojnë bizneseve miliarda euro çdo vit përmes rritjes së shpenzimeve të kujdesit shëndetësor, mungesave në punë, jo-produktivitetit dhe papunësisë. Si rrjedhojë, një barrë kolektive i imponohet shoqërisë pasi qeveritë përballen me kosto në rritje të kujdesit shëndetësor, si dhe të ardhura të reduktuara nga taksat.

Si përfundim, ndikimi i shëndetit mendor në tregun e punës shkon përtej statistikave dhe konsideratës financiare. Adresimi i shëndetit mendor në tregun e punës kërkon një qasje holistike që njeh ndërlidhjen midis mirëqenies personale, suksesit organizativ dhe vlerave shoqërore. Kjo sidomos që tashmë jemi në një epokë të karakterizuar nga zhvillime të shpejta teknologjike, dhe ndryshime në stilin e jetës si p.sh. puna në distancë, automatizimi i punës, etj., të cilat paraqesin sfida unike për mirëqenien mendore. Pra, pavarësisht dilemës se a ndikon shëndeti mendor në punë apo puna në shëndetin mendor, është e rëndësishme të ofrojmë ndryshime pozitive në ambientin e punës, përfshirë këtu krijimin e programeve për menaxhimin dhe përmirësimin e mirëqenies, por edhe parandalimin e shfaqjes së problemeve mendore të punonjësve. Duke investuar në mirëqenien mendore të punonjësve ne jo vetëm që investojmë në individë, por investojmë në organizata dhe në shoqërinë në tërësi.

Ndaje