Çka është një grua?

  • Çka është një grua? Pse është kaq e vështirë të definohet gruaja sot?
  • Shoqëritë perëndimore me dashje e vetëdije të plotë sikur janë zhytur në një huti kolektive e cila, duke ndjekur idetë ultra liberale, i ka vënë në pozitë të pushtetshme lëvizjet radikale LGBT, të cilat ushtrojnë trysni të hatashme mbi shoqërinë nga kënde të ndryshme, si mediat, Hollivudi, bizneset e ndryshme, politika, etj.
  • Në dekadën e fundit, këto lëvizje radikale kanë arritur të marrin mbështetje të fuqishme nga politika, media e rrafshe të ndryshme shoqërore, duke krijuar konfuzion edhe për termet më lehtësisht të kuptueshme siç janë: gruaja, burri, gjinia. 

Çka është një grua? Megjithëse përgjigjja e kësaj pyetjeje duket në vështrim të parë të jetë tepër e thjeshtë, realisht edhe është, shoqëria perëndimore sikur me dashje e vetëdije të plotë është zhytur në një konfuzion kolektiv. Sikur tema rreth asaj se çka e definon një grua apo kush mund të quhet grua (apo burrë) është bërë temë tabu, duke e bërë të pamundur dhe të paqartë nocionin e ndarjes në bazë të gjinisë, në fakt edhe vet definimi i gjinisë sikur është bërë një detyrë e pamundur. Për më tepër, vet deklarimi i një individi apo grup individësh kundër ideologjisë së transgjinorëve, apo kundër përdorimit të hormoneve a ndërhyrjeve kirurgjike për ndryshimin e gjinisë të mbështetur nga ky grup radikal, do të cilësohej si transfobik dhe fanatik.

Këtë tematikë e shtjellon dokumentari me titullin “What is a Woman?” i prodhuar nga Daily Wire nën udhëheqjen e aktivistit Matt Walsh, i cili hulumton pikërisht individë nga rrafshe të ndryshme shoqërore, nga ata profesional (doktor, psikolog, profesor, etj.) deri tek individë që i takojnë të dy taborëve – ata pro idesë së transgjinorëve dhe atyre kundër. Pra, dokumentari kryesisht fokusohet rreth dukurisë së transgjinorëve, agjendave të tyre, si dhe me theks të veçantë ndërhyrjet hormonale dhe kirurgjike në “ndryshimin e gjinisë”, duke e sjellur këtë koncept para shikuesit se sa është e arsyeshme dhe se, a është e shëndetshme kjo dukuri për shoqërinë moderne. Megjithatë, dokumentari nuk është ndonjë studim i thellë e i gjerë, me qenë se në qendër të tij qëndron pyetja e thjeshtë “Çka është një grua”.

Ky dokumentar për herë të parë u publikua më 1 qershor 2022, mirëpo, këtë vit u riaktualizua prapë meqë mori jehonë të madhe. Rrjeti social Twitter tani i drejtuar nga Elon Musk, i ofroi mundësinë që të publikohet dokumentari pa censura dhe i plotë, përkundër censurimeve të mëparshme, veprim ky që rezultoi në largimin e disa udhëheqësve të kësaj platforme duke dhënë dorëheqje nga rolet e tyre që i kishin në Twitter. Përkundër bujës së madhe, duke mbledhë rreth 170 milion shikime në pak ditë,  është interesant fakti që kundërshtarët e tij refuzojnë ta shikojnë atë, ndërsa kritikët e zhanrit dokumentar sikur rrinë indifernt duke mos guxuar as ta kritikojnë, duke mos dhënë kurrfarë deklarate, as pozitive e as negative. Ky fakt të bënë të pyesim vetën se çfarë ndikimi të madh censurues kanë arritur këto lëvizje të kenë në platforma të ndryshme, si Rotten Tomato, Hollywood, mediumet kryesore publike, etj. 

Ajo që e bën të veçantë këtë dokumentar është ofrimi i hapësirës mediatike dhe diskutimit të hapur të të dyja grupeve pro dhe kundër transgjinorëve, dhe mos nxjerrja nga konteksti i tërë bisedës që bëhet, edhe pse vet autori Walsh është i njohur për qëndrimet e tij kundër lëvizjes transgjinore dhe “ndryshimit të gjinisë” në përgjithësi. Ajo që vihet re në dokumentar është fakti se si grupet pro transgjinore përveç që mbrojnë lirinë madje edhe të fëmijëve që t’i heqin në mënyrë kirurgjike organet e tyre të shëndetshme në mënyrë që ta “ndërrojnë gjininë”,   nuk arrijnë t’i japin përgjigje një pyetjeje kaq të thjeshtë: çka është një grua?! Për më tepër kur Walsh këmbëngulë rreth pyetjes duke kërkuar një deklaratë të qartë e përfundimtare se çka është një grua, ata ndihen të sulmuar dhe të kurthuar e në këto momente shihet se si ndryshon toni i zërit, ndërron edhe natyra e të folurit dhe protagonistët fillojnë të tërhiqen nga bashkëbiseda apo në raste të tjera me kundërsulme ndaj Walsh. Sigurisht se arsyeja kryesore pse nuk pranojnë ndonjë definim se për gruan është se çfarëdo përgjigje definuese, automatikisht do të nënkuptonte përjashtim të të gjithë njerëzve të cilët me operacione kirurgjike e me terapi hormonale ndërrojnë pamjen e tyre për tu dukur si e kundërta e gjinisë që kanë lindur.

Dokumentari gjithashtu lë të kuptojë që këto ide radikale transgjinore vijnë kryesisht nga shoqëritë perëndimore, me theks të veçantë ajo amerikane. Gjatë rrugëtimit të Walsh në shtete të ndryshme brenda Amerikës, ai nuk u nda i kënaqur me replikat që i pranoi në pyetjet që i parashtronte dhe vendosi ta kalojë Oqeanin Atlantik e të merr mendimin e shoqërive jashtë rrethit të tij. Në eksperimentin e tij shoqëror, Walsh vendos të shkojë në shtetin e Tanzanisë në Afrikë, ku takohet me fisin Maasai dhe u bën pyetjet e njëjta për të parë se çfarë reagime do të merr. Ashtu edhe siç pritej, duke qenë se shoqëritë që jetojnë në klane e fise si ai Maasai janë tejet konservatore, ata përveç që shprehin botëkuptimin e tyre të natyrshëm se burri siguron ushqimin për familje ndërsa gruaja kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët, ata njëherazi edhe shprehin çudi rreth asaj se si e mendojnë rolin e gjinive shoqëritë perëndimore, megjithatë, duke u përgjigjur shkurtë e thjeshtë në pyetjen e dokumentarit.

Si përfundim mund të them se dokumentari “What is a Woman?” nga Matt Walsh ka arritur një sukses të madh për vet faktin se nisur nga një pyetje fare e thjeshtë ka arritur të nxjerrë kaq shumë elemente në ekran, shfaqen kaq shumë teori kontroverse e huti kolektive, ka nxitur kaq shumë diskutime të cilat përndryshe nuk do të mbaheshin fare për shkak të asaj që thamë se diskutimet rreth grupacioneve transgjinore a homoseksuale thuajse konsiderohen tema tabu dhe fare pak tolerohen të ngrihen argumente kundër tyre.

Ndaje