“Holivudizmi” si ringjallës mitologjik për profeci mbi të ardhmen

Dy dekadat e fundit, kur bëhet fjalë për filmin, dimensionet mitologjike marrin opsesione të përmasave katastrofale, frika, vizione të frikshme për pritjen e një fundi apokaliptik.

Xhejms Kameroni i cili në masë të madhe është meritor që ky produksion i ri i Holivudit korr suksese gjithkund nëpër botë, pa dyshim që e ka pasur në mendje tërheqjen që e ka njeriu për mitin dhe e vendos rrëfimin për agoninë duke i ballafaquar me fytyrën e vdekjes.

“Holivudizimi” i ngjarjeve e fenomeneve nëpër botë dhe orientimi i tij për të nënshtruar jo vetëm pjesën e vetëdijshme të njeriut, por edhe pjesën instiktive dhe emotive, po ia del me saktësi kirurgjike të shndërrohet jo vetëm në epiqendër rreth të cilës sillen zhvillimet, por edhe profeci mbi ardhmërinë dhe trashëgimtari i vetëm i saj.

Tragjeditë kombëtare nuk duhet me çdo kusht të shndërrohen në mit, e që pastaj sipas një reminishence tipike për ruajtjen e tij të kujdeset gjeniu i popullit, ta nxjerrë në sipërfaqe çdoherë që e thërrasim kur s’kemi përgjigje konkrete për ndodhi të caktuara. 

Në traditën tonë s’kemi të ekranizuar shumë referenca mitologjike për ngjarjet tragjike ndonëse kjo na ka përcjellë në çdo periudhë kohore e sisteme politike, epërsi apo disfatë e jona, nuk e di, ndërsa miti në historinë e civilizimeve perëndimore paraqitet me intensitet të atillë që i lëkundin edhe faktet historike dhe besueshmërinë e tyre. 

Të shpeshtë janë filmat mbi orvatjet për ta vënë në kornizat historike figurën dhe mësimet e profetit Isa dhe për t’ia kthyer dimension njerëzor. Kjo paraqet vetëm një nga shembujt e shumtë ku miti në harmoni me historinë, merr të drejtën pa e trembur syrin të shkërmoq edhe nga shenjtëria dhe t’i fusë në mbretërinë e tij.

Dy dekadat e fundit, kur bëhet fjalë për filmin, dimensionet mitologjike marrin opsesione të përmasave katastrofale, frika, vizione të frikshme për pritjen e një fundi apokaliptik. Fati i Hiroshimës në nënvetëdijen e bashkëkohësve të Çernobilit zgjerohet edhe mbi jetët e banorëve të krejt planetit. Ardhmëria e tyre, sipas zbulimeve të njohësve të programit NASA, vetëm se është shkruar. Arkitektët e rendit të ri botëror planifikuan në programin Hologramik se 90% nga popullata e planetit duhet të shkatërrohet që të kthehet dhe mirëmbahet baraspesha ideale ekologjike. 

Këto vizione të frikshme nuk i përkasin zhanrit të fantastikës shkencore në letërsi dhe film. Principi i këtij zhanri i dalë fillimisht nga Holivudi, në paraqitjet e tij shpërndan pikërisht frikën paranojake në gjithë planetin tokë. 

Spillbergi dhe dinozaurët e tij sikur e përgatisin njerëzimin për zhdukjen që nuk arritën ta bëjnë deri në fund përbindëshat e mistershëm. Por autori i “Listës së Shindlerit” për të cilin nuk mund të pohohet e as të mohohet që i përket klubit të përzgjedhurve me emrin Iluminati, ka aleatin e tij edhe në talentin e regjisorëve të formatit të një Dejvid Kronenberg, ky autor latent i patologjisë së seksit dhe ëndrrave. Në poetikën e epsheve të errëta që na i zbulon, vërehet kjo diagnozë e psikikës së sëmurë, që mbetet i dashur për militantët e komplotit të spastrimit ekologjik të tepricës së popullatës. 

Gjithsesi ju kujtohet ambienti ngjethës i rrëfimit ezoterik nga filmi i tij “Ndeshja” ky doracake çoroditës ku emocionet mund të lëkunden nga apatia vetëm para pamjeve të plagës së hapur që nxit ekstazë erotike nga dëmtimet e mëdha trupore. Ideja që vrulli i aksidentit nga pasojat e së cilës shpërthejnë disa impulse të ndrydhura erotike, përsëritet si observim ndaj së cilës nuk duam t’i përkushtohemi e as t’i besojmë, para pamjes ku trupi gjigant “Titanik” ndeshet me masën e akullt.

Përmasat apokaliptike të tragjedisë në çastet e para të habisë i shqetësojnë shqisat e shikuesit deri në masën e panikut dhe harbimit, përkundër përqendrimit të vëmendjes e gatshme t’i flakë iluzionet për pathyeshmërinë e konstruksionit gjigant të këtij përbindëshi lundrues. 

Në distancë të agonisë së shqisave me gjakftohtësi sjell edhe renditje të fakteve, ndërmjet tyre edhe përcaktimi i fatkeqësisë në kohën kur ka ngjarë i jep një pikë përparësie. Paralel me identifikimin e tragjedisë ajo e përhap kontekstin në pasojat e saj (implikimet) drejt dekadave që i vijojnë, gjegjësisht drejt viteve kur kjo ngjarje dramatike e tronditi botën duke përjetuar edhe një ekranizim filmik. Këtu duhet të theksojmë që vetëdija njerëzore nuk mbetet e verbër para pamjeve dëshpëruese dhe dëshirës për të shpëtuar jetën. Por aspekti i vuajtjes njerëzore, shpërthimet e kohëpaskohshme të heroizmit, pastaj flijimi apo qyqaria i shërbente qëllimit që mozaikun e dendur të fateve të veçuara ta fusë në korniza mitologjike, pa fuqinë kohezive të së cilës emocionet do të humbeshin në fushën e pafund të anonimitetit historik.

Për këtë arsye, vetëdija e ballafaquar me skenat e thyerjes së anijes, tërbimi i ujit nëpër korridoret e ndritshme të anijes luksoze dhe nëpër kabinat intime të milionerëve, shpejton t’i vendosë bashkë me krejt ngjarjen tragjike në kufirin mes epokës së bardhë idilike dhe dekadat që do të vijojnë. Si ishin kohërat para fatkeqësisë, dhe si ishin pas kësaj? Shekulli XIX dhe dekada e parë e njëqindvjetorit tonë është e njohur që ishin periudhë e optimizmit në virtytin e mendjes njerëzore, në mundësitë e saj që ta fisnikërojë botën, i lodhur përgjatë historisë nga forcat e së keqes, frikës, mjerimit, besëtytnive dhe padrejtësive. 

Frytet e kësaj mendje të ndritshme të mishëruar në masë të madhe edhe në pathyeshmërinë e titanit lundrues, simbolikisht i emëruar me emrin mitologjik “Titanik” tanimë dolën në horizont. Njerëzimi përfundimisht mund të merrte frymë lirshëm dhe t’i jep hovë shpresave të tij se më në fund e presin ditët e lumtura. Por menjëherë pas fatkeqësisë së Atlantikut që e la botën pa fjalë dhe e futi në labirintin e dyshimeve të tij, mbi planet lundruan retë e zeza që i traumatizuan edhe ashtu banorët e tronditur të tij.

“Titaniku” ishte lajmëtar i luftërave të mëdha botërore e revolucioneve, ai sikur e lajmëroi dëshpërimin e madh ekonomik, Holokaustin, bombën atomike, Vietnamin dhe gjenocidet e ndryshme. Para qartësisë së faktit, nuk ka dilemë se trupi i “Titanikut” i përbirë nga ujërat e ftohta të Atlantikut e shënjoi fundin e një periudhe të pafajshme të njerëzisë me pamje kah e ardhmja. Po ashtu s’ka dilemë se vitet pas fatkeqësisë i sollën dallgët e frikës: së shpejti filluan të shuhen idealet humaniste dhe vlerat etike të kultivuara me shekuj. 

Tmerri i pamjeve gjatë rrënimit të qyteteve evropiane rrugëtonte bashkë me dëshmitë delirike të grumbujve me trupa të pajetë nëpër llogoret e vdekjes. Euforia ndërtuese e simbolizuar në rrënimin e “Titanikut” (arrogancë që më vonë u dëshmua me demonstrimin e fuqisë në Hiroshima, Drezden apo Stalingrad) lë hapësirë për një proces të ri: krijimin e mitit të tradhtisë që mendja njerëzore ia la si hakmarrje të pakuptimtë gjeneratave të ardhshme. 

Xhejms Kameroni i cili në masë të madhe është meritor që ky produksion i ri i Holivudit korr suksese gjithkund nëpër botë, pa dyshim që e ka pasur në mendje tërheqjen që e ka njeriu për mitin dhe e vendos rrëfimin për agoninë duke i ballafaquar me fytyrën e vdekjes. Po nëse i qasemi edhe politikës televizive amerikane, vërejmë të njëjtën gjë, qëllimi për t’u nxitur interesi i publikut ndaj problemeve aktuale që i preokupojnë ose jo, vdekatarët e thjeshtë që përballen me ekzistencën, janë pikënisje për seriale të ndryshme televizive si mjet më i rëndësishëm i shprehjes, në këtë rast si për liberalët po ashtu edhe për konservativët. Fjala bie, seriali Rend dhe ligj, në sezonin 2001/2002 përmban episode që analizojnë pasojat e politikës “lufta kundër të keqes” që i përfaqësonte Xhorxh Bush. Shembulli me Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, simbol i supremacisë amerikane. Dhe skena u përsërit: edhe një herë u thërrmua titani i madh nga një goditje misterioze.

Në qasjen narrative te filmi “Titaniku” tema e fundosjes është siç e ceka më lart, mbështjellja mitologjike që pamjet e thyerjeve apokaliptike të anijes gjigante kishte për detyrë t’i vendoste në perspektivë historike. Imazhet e sakatimit, vdekjes, plagëve të hapura dhe fytyrave të shpërfytyruara, nuk nxisin vetëm frikë dhe tmerr atavistik por edhe një emanacion të fshehtë ku vdekja e shfaq fytyrën e saj të pështirë.

Zhan Bodrijar nuk e mbron perversitetin në kënaqësinë e plagëve dhe në praninë e vdekjes kur thotë: “Teknika është konstruksion vdekjeprurës i trupit, plagët e tij dhe kënaqësia seksuale janë vetëm rast i veçantë pa referenca dhe pa kufij”. Te vepra e tij “Fryma e terrorizmit” Bodrijar thekson që bëhet fjalë për një synim të vetë konfliktit që të përqendrohet te “iluzioni” për një konflikt të qartë e të shpjegueshëm dhe zgjidhje të ngutshme e të menjëhershme të tij.

Xhejms Kameroni me siguri mbeti në dilemë para implikimeve të rrezikshme të metaforës së thyerjes së xhindit ujor dhe seksualitetit të çliruar të psherëtimës vdekjeprurëse që e nxori plaga metalike e “titanit”.

Në sekuencën e fundit të filmit “Titanik” kur rrënojat e anijes së mbytur fillojnë të rigjenerohen dhe shkallëve të shkatërruara e korridoreve të ndritshme ju kthehet shkëlqimi i vjetër, Kameroni sikur dëshiron të na shpalosë idenë se mundet edhe ne të gjendemi ndërmjet udhëtarëve që tragjikisht i duartrokasin fatit dhe na jep guxim në besimin që fuqia e mitit është më jetëgjatë se vetë realiteti.

Mbetet një dilemë e madhe ideja e harxhuar sipas së cilës fati noton e del në horizont nga rrënojat e ëndrrave dhe shpresave si Feniksi, duke krijuar një realitet të ri heroik, dhe a është e mundur që përsëri të ringjallet në mit?

“Holivudizimi” i ngjarjeve e fenomeneve nëpër botë dhe orientimi i tij për të nënshtruar jo vetëm pjesën e vetëdijshme të njeriut, por edhe pjesën instiktive dhe emotive, po ia del me saktësi kirurgjike të shndërrohet jo vetëm në epiqendër rreth të cilës sillen zhvillimet, por edhe profeci mbi ardhmërinë dhe trashëgimtari i vetëm i saj.

Ndaje