Star Trek – Inteligjenca artificiale si armiku i njeriut

  • Veprat fanta-shkencë rëndom janë përpjekje të autorëve për ta fshirë vijën ndarëse mes reales dhe fantazisë, duke e çuar njeriun në vende të çuditshme, galaktika të largëta, dimensione të ndryshme etj., ku shkenca thjesht është në gjendje të ofrojë vetëm teori. 
  • Aspirimi për të mbledhur sa më shumë informacione rreth sekreteve të universit, informacione të asaj që do të njihej si e paarritshme, e shtyn njeriun që të synojë të arrijë në skajet më të largëta të galaktikës.
  • Në sagën të Star Trek të vitit 1969 superkompjuteri me inteligjencë artificiale paraqitet si armiku shkatërrimtar i njeriut. Derisa për kohën ishte çështje imagjinate, sot ekziston frikë mbi përmasat e pavarësisë që Inteligjenca Artificiale mund t’i arrijë.

Star Trek (nga anglishtja “udhëtimi yjor”) krijuar nga Gene Roddenberry, padyshim që është një revolucion kinematografik i kohës, i cili pati ndikim jo vetëm në botën e kinemasë por edhe në shoqëri të asaj kohe. Seriali për herë të parë u lansua në vitin 1966 dhe zgjati plot tre sezona deri në vitin 1969. E veçanta e kësaj serie është natyra e saj utopike, duke e paraqitur njerëzimin në shkallën më të lartë të zhvillimit shoqëror dhe teknologjik, ku problemet globale si konfliktet njerëzore, uria, varfëria, sëmundjet, racizmi etj., janë zgjidhur dhe tani njerëzimi iu kishte mësyer qiellit për të hulumtuar civilizime tjera ndëryjore dhe për të mësuar më shumë për universin.

Krahas kësaj që u tha, seriali trajton edhe një element tejet unik për kohën kur është lansuar, pra përfshirja e komuniteteve të ndryshme duke e sfiduar mentalitetin racist të kohës. Pra, në seri kemi karakteret si Ohura një afro-amerikane, pastaj Çekov një rus, si dhe Sulu një aziatiko-amerikan. Gjithashtu fenomeni i Spock-ut, ku raca njerëzore jo vetëm që e pranon një alien të jetë pjesë e ekuipazhit, por se roli i tij është edhe si oficer i lartë, i dyti në rang pas kapitenit. Ky element ishte revolucionar për shoqërinë amerikane e viteve 60-ta, ku komunitetet afro-amerikane e aziatike ishin tejet të diskriminuar dhe të margjinalizuara.

Figura 1. Ekuipazhi i anijes kozmike U.S.S. Enterprise.

Secili episod trajton një tematikë të caktuar, sfida me të cilat ekuipazhi i anijes yjore U.S.S. Enterprise do të përballej në skaje të ndryshme të galaktikës. Ajo që më la përshtypje të madhe ishte filmi Star Trek – The Motion Picture i cili u lansua në vitin 1979 pas një pauze të gjatë nga fundi i sezonit të tretë të serialit të viteve 60-ta. Filmi, përveç arritjes kulminante në realizimin e efekteve speciale (të hatashme për periudhën kur është lansuar) për të cilat edhe është nominuar nga Oscars në disa kategori për efekte vizuale, ajo që mendoj se meriton vëmendje edhe në kohën tonë është trajtimi i tematikave siç është inteligjenca artificiale (A.I. – Artificial Intelligence) e cila tani është bërë trend global dhe është kthyer në aktualitet për shkak të përdorimit të saj. 

Figura 2. V’Ger kompjuteri me inteligjencë artificiale.

Filmi rrëfen për ballafaqimin e njerëzimit me një rrezik të një objekti të panjohur alien me përmasa të jashtëzakonshme dhe teknologji të avancuar, që iu kishte mësyer tokës e që gjatë rrugëtimit të tij nëpër galaktika të shumta, po eliminonte çdo gjë që i dilte përpara. Gjatë zhvillimit të ngjarjes kuptohet që ky objekt po drejtohej nga një inteligjencë artificiale. Në këtë pikë filmi vetëm se e ka sjellë në ekran dilemën e njerëzimit që së fundmi po diskutohet gjerë e gjatë në rrafshe të ndryshme shoqërore, pra ajo se sa mund të jetë i rrezikshëm apo i dobishëm për njerëzimin adoptimi i A.I.-së në jetën tonë të përditshme.

Në janar të vitit 2015, Stephen Hawking, Elon Musk e shumë ekspertë të tjerë të lëmenjve të ndryshme, nënshkruan një letër të hapur në lidhje me inteligjencën artificiale duke bërë thirrje të bëhen hulumtime të detajuara në lidhje me ndikimin e saj në shoqëri. Letra pranon që përdorimi i A.I.-së ka potencial të madh dhe mund të sjellë përfitime të shumta për njerëzimin, mirëpo në letër gjithashtu përmendet fakti që krahas asaj se A.I. mund të ndihmojë në zhdukjen e sëmundjeve të ndryshme a eliminimin e varfërisë globale, ajo mund të zhdukë edhe vet njerëzimin. Pra, njerëzimi duhet të ketë kujdes të madh që mos të krijojë një gjë e cila mund të jetë jo e sigurt dhe e pakontrollueshme nga vet ai. Në anën tjetër, e kemi edhe një grup tjetër shoqëror që po frikësohen që do t’i humbin vendet e tyre të punës, meqë A.I. veç se ka filluar të kryejë punë të shumta në fusha të ndryshme me efikasitetin më të lartë dhe në kohë rekorde.

Në anën tjetër, pas publikimit të ChatGPT-së nga kompania OpenAI, kjo dukuri bëri bujë të madhe meqë tani një vegël me aftësi A.I. është bërë e qasshme për të gjithë, e kështu shoqëria u kaplua nga një eufori dhe habi kolektive e asaj se çka është në gjendje të bëjë një A.I. Përdorimi i këtij chat bot-i (chat – bisedë, bot – shkurtesë për robot) është bërë praktikë e të gjithëve në sfera të ndryshme shoqërore. Ky fenomen i ofroi njerëzimit një mundësi për ta parë nga afër se çfarë dobie mund të sjellë përdorimi i A.I.-së, edhe pse aktualisht kjo vegël po konsiderohet vetëm hapi i parë drejt integrimit të teknologjisë A.I., meqë A.I. është ende në rolin pasiv ku pret që ndërveprimi të inicohet nga njeriu ashtu që A.I. të ofrojë shërbime (pra duhet të bëjmë pyetje ChatGPT për të marr një përgjigje, me fjalë tjera ChatGPT nuk është iniciator i asnjë ndërveprimi).

Hapi tjetër që po mëtohet të arrihet, e për të cilin kundërshtarët janë skeptik dhe ndihen të frikësuar, është kur A.I. të ketë rol të pavarur dhe të jetë vetëinicuese e ndonjë veprimi pa pasur nevojë ndërhyrjen e njeriut. Kjo, sipas analistëve dhe ekspertëve të shumtë, mund të arrihet kur A.I. të jetë në gjendje të mësojë gjithçka që është e mundur, dhe fillon të marrë vendime apo të sugjerojë veprime pa ndërhyrjen e njeriut. Në këtë pikë A.I. do të bënte kalkulimet e veta dhe njeriun mund ta shohë si ndonjë variabël që, nëse në bazë të kalkulimeve të veta duhet të eliminohet atëherë e bën atë sepse makinat nuk kanë vetëdije e emocione dhe si të tilla ato nuk janë në gjendje të gjykojnë nëse ky veprim është i mirë apo i keq. Kjo është pikërisht pika për të cilën kritikët e teknologjisë A.I. janë të zëshëm në kundërshtimin e saj, apo me fjalë tjera kërkojnë të bëhen hulumtime pafund deri sa të arrihet një siguri e pamohueshme që një skenar i tillë të mos vije në shprehje asnjëherë.

Këtë situatë, pak a shumë e trajton filmi Star Trek: The Motion Picture duke e vënë në skenë një super kompjuter i cili ka arritur të mbledhë informacion pafund duke e zhvilluar veten, dhe duke vazhduar misionin për të cilin është krijuar, e që pjesë e misionit të tij është raportimi tek “krijuesi i vet” (njeriu) për hulumtimet e bëra. Mirëpo, pasi që krijuesi nuk po i përgjigjet, vazhdon ta kërkojë atë dhe të eliminojë çdo pengesë në këtë rrugëtim deri sa ta arrijë kryerjen e detyrës për të cilën është ngarkuar, edhe nëse kjo do të thotë të eliminonte jetët e ndryshme njerëzore gjithandej galaktikës. 

Sidoqoftë, meqë fjala është për një film nga saga e Star Trek, padyshim që përfundimi gjithnjë është i mirë dhe mesazhi çdo herë është pozitiv, a mund të themi të njëjtën për situatën tonë në jetën reale karshi ballafaqimit me një super-makinë me një inteligjencë artificiale? Sipas zhvillimeve të fundit, kjo mund të shihet shumë shpejt.

Ndaje