Historiku i arsimit të lartë në Kosovë – Pjesa I

  • Arsimi i lartë në Kosovë funksionon akoma me Ligjin për Arsim të vitit  2011. Si pasojë e mungesës së përpilimit të një ligji të ri, cilësia akademike e programeve studimore dhe institucioneve të arsimit të lartë ka vështirësi në plotësimin e kritereve ndërkombëtare. 
  • Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) duhet të kenë komoditetin e nevojshëm të autonomisë vendimmarrëse. Ndërhyrjet politike kanë rezultuar me pasoja fatale për cilësinë e arsimit të lartë.
  • Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), publike dhe private, e kanë të pamundur krijimin e konsolidimit të brendshëm institucional në raport me standardet ndërkombëtare të menaxhimit të cilësisë.

Arsimi i lartë në Kosovë funksionon konfrom Ligjit mbi Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës i miratuar në vitin 2011 (LIGJI NR. 04/L-037). Ky ligj ishte rregullatori i parë që buroi nga Kuvendi i Kosovës për Arsimin e Lartë tre vjet pas shpalljes së pavarësisë. Në vitin 2006 ishte një ligj i hartuar me udhëzimet e misionarëve ndërkombëtarë në kuadër të misionit të UNMIK-ut. Ligji i vitit 2006 edhe pse shënonte një proces të rëndësishëm në konsolidimin e arsimit në Kosovë, kishte mangësi dhe mospërputhshmëri me standardet e cilësisë dhe menaxhimit të cilat ishin kritere bazë të Sistemit të Bolonjës. 

Në këtë kontekst, Universiteti i Prishtinës është institucioni i parë universitar në Kosovë, dhe si i tillë funksionalizimin në kapacitetet maksimale e rifilloi në vitin 2001, kur filloi edhe procesi i ripërpilimit të kurrikulave të programeve studimore dhe fakulteteve përkatëse. Krahas kësaj, në vitin 2000 filloi themelimi edhe i Bartëseve Privatë të Arsimit të Lartë (BPrAL). Si pasojë e infrastrukturës ligjore, BPrAL-të identifikoheshin si universitete dhe jo si kolegje. Ky lloj konfuzioni në raport me statusin e BPrAL-ve vazhdoi deri në vitin 2011 me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për arsimin e lartë. 

Ligji i ri caktoi qartë kriteret në lidhje me emërtimin dhe statusin e institucioneve të arsimit të lartë. Universitet mund të quhej vetëm institucioni që ofronte pesë ose më shumë programe studimore në nivelin PhD. BPrAL kundërshtuan këtë ligj, dhe justifikimi i tyre ishte se institucioni i tyre ofronte një ose dy programe studimore në nivelin PhD, kësisoj BPrAL-të për tre vite funksionuan si Kolegje Universitare. Shndërrimi me emërtimin e BPrAL-ve si Kolegj ndodhi me kriteret e caktuara nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).

Në vitin 2009, si rezultat i kërkesës së Organizatave Ndërkombëtare për Menaxhimin e Cilësisë, Kuvendi i Kosovës themeloi Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA). Statusi i AKA-së fillimisht ishte i paqartë, deri në Ligjin për Arsimin e Lartë të vitit 2011, ku u përcaktuan detyrat dhe përgjegjësitë. AKA në bazë të LIGJI NR. 04/L-037 funksionon si institucion i pavarur, por që është brenda ombrellës institucionale të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT). AKA përbëhet nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) dhe stafi i përhershëm rregullativ. Përgjegjësi e KShC është vendimmarrja dhe hartimi i politikave për menaxhimin e cilësisë në arsimin e lartë, ndërsa detyrë e stafit të përhershëm administrativ është monitorimi dhe implementimi i vendimeve të KShC. Themelimi i AKA-së padyshim që përbën hapin e progresit sa i përket arsimit të lartë dhe kjo u dëshmua me anëtarësimin e AKA në organizatat ndërkombëtare të cilësisë në arsim.

Të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, publike dhe private, programet studimore i përpilojnë në bazë të Udhëzimeve Administrative për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të lartë dhe Programeve Studimore. Në vitin 2018, me rekomandimin e ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit, janë zhvilluar manuale specifike të cilat përfshijnë standarde të cilat duhet të aplikohen nga IAL-të për zhvillimin e programeve studimore. Një standard i përfshirë në këto manuale, dhe që ka gjetur shumë të papërgatitur IAL-të, ka të bëjë me bartësit e programeve studimore. Sipas këtij standardi çdo program studimor duhet të ketë tre bartës me thirrjen akademike PhD. nga fusha përkatëse. Më tutje, bartësi në fjalë duhet të jetë i angazhuar me orar të plotë (Full Time) në institucionin përkatës. E gjithë kjo situatë e re, përveç panikut të krijuar brenda IAL-ve, ka nxitur implikimin e personave të pushtetshëm nga politika në autonominë e AKA-së dhe vendimmarrjen e KShC. Në vitin 2017 ka qenë një ngjarje tronditëse e llojit të tillë, ku me urdhrin e Kryeministrit Ramush Haradinaj janë shkarkuar anëtarët e KShC-së, nga ish-Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi. Një vendim i tillë rezultoi me përjashtimin e AKA-së nga organizatat kryesore evropiane për menaxhimin e cilësisë në arsimin e lartë, ENQA dhe EQAR. 

Në pjesën e dytë të këtij shkrimi do të kuptojmë më në detaje problematikat e vazhdueshme ndërmjet AKA-së dhe IAL-ve, përpjekjet e AKA-së për rianëtarësim në ENQA dhe EQAR, shkaqet e dorëheqjeve të njëpasnjëshme të anëtarëve të KShC-së dhe gjendjen aktuale të cilësisë akademike në IAL-të.

 

REFERENCAT:

1 – https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx%3FActID=2761.

2 – LIGJI NR.2002/3 MBI ARSIMIN E LARTË NË KOSOVË.

3 – Internacionalizimi: https://akreditimi.rks-gov.net/.

Ndaje