Idhujtaria dhe Ateizmi

1.

Tashmë kemi arritur në përfundimin se idhujtaria është praktikë në përputhje me një mirënjohje të kursyer – të mangët të njerëzve në raport me hyjnoren dhe si pasojë e kësaj me një nevojë të pakët për ta njohur Zotin dhe me mosdëshirë për të komunikuar me Të.

Dhe duke qenë se Zoti e ka ngulitur në natyrën njerëzore njohurinë për Zotin si Krijues i Gjithçkaje, përveç besimtarëve të teuhidit, pra që e adhurojnë Zotin të vetëm, përmes një mirënjohje të plotë e të pashpagueshme dhe me dëshirë të plotë për ta njohur Atë sa më shumë dhe sa më mirë dhe për të qenë paprerë në komunikim me Të, lloji tjetër i njerëzve mbetet të jenë idhujtarët (pra ata që e konfondojnë dhe e falcifikojnë të vërtetën për Zotin) dhe jo ateistët, pra mohuesit e ekzistencës së Zotit. 

Një vëzhgim statistikor mbi Ligjërimin Kuranor e konfirmon këtë, sepse në fakt Kurani qorton paralajmëron dhe kërcënon më së shumti idhujtarët, pra ata që i shoqërojnë Zotit ortakë në adhurim dhe pas tyre idhtarët e Librit; e praktikisht duket se nuk flet për mohuesit e ekzistencës së Zotit, pra ata që sot ne i quajmë ateistë; (duke mos harruar për asnjë çast se edhe idhujtaria si mosbindje apo mosdashje ndaj caktimeve të Zotit, edhe ateizmi si refuzim brutal, janë në thelb kufër).

Kështu, me aq sa kemi arritur të gjejmë brenda njohjes sonë modeste të Kuranit, na rezulton si përmendje e drejtpërdrejtë e mohuesve të ekzistencës së Zotit, ajeti 24 i Sures Xhathije: “Ata thonë: nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, lindim dhe vdesim dhe vetëm koha na shkatërron. Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, ata vetëm hamendësojnë kështu.” (Nuk i cituam por edhe dy ajetet vijuese janë të bashkëlidhur me këtë ajet).

Ky ajet dëshmon për ekzistencën e një grupi njerëzish në Xhahilijet, të cilët besonin se nuk ekziston asgjë transhendente – hyjnore dhe e vetmja gjë që ekziston është realiteti apo jeta në imediatizmin e vet, apo koha si një emër tjetër për jetën. Duke qenë këto pretendimet e tyre, ato janë shumë afër (praktikisht njëlloj) me ateistët e sotëm, të cilët po ashtu deklarojnë pamundësinë për të besuar diçka të pakapshme nga shqisat dhe se qëllimi i vetë jetës është thjesht që ajo të jetohet, duke e shndërruar jetën qëllim në vetvete.

Me siguri që ky është një grup i humbur, siç edhe i përgënjeshtron vetë Allahu në Kuran në ajetet vijuese, pra besimi i tyre është kufër (mosbesim) përderisa mohon të ekzistojë diçka që t’i paraprijë jetës, apo kohës apo botës. Vetëm se ky është një kufër i rrallë apo i pakët apo jo shumë i përhapur, sepse lloji dominues i kufrit, nuk është kufri i mohimit të Zotit, por kufri i kundërvënies ndaj Zotit apo edhe i mospranimit të asaj që vjen nga Zoti, apo i mospëlqimit të çfarë është Zoti. Dhe në fakt ky lloj i dytë i kufrit historikisht është realizuar përmes praktikave idhujtare – të tagutit dhe shumësisë së zotave, ndaj idhujtaria ( edhe siç e përcaktuam në ligjëratën e kaluar) dhe kufri, në pjesën më të madhe të rasteve, pra në pjesën më të madhe të historisë, janë e njëjta gjë.

2.

Na duhet tani kjo qartësi: mosbesimi më së shumti rezulton të jetë i shprehur përmes idhujtarisë sesa përmes ateizmit. Na duhet për të sqaruar nëse është shenjë qartësie apo turbullie bindja se në kohën që jetojmë duket se është përmbysur raporti, dhe mosbesimi më së shumti shfaqet përmes ateizmit sesa përmes idhujtarisë, e për pasojë duket se daveti ynë më së shumti duhet të fokusohet tek ateizmi sesa tek idhujtaria. Çka do ta shqyrtojmë në vazhdim.

Ky grup të cilët njihen si dehrijunët ( ata që besojnë te koha, por që mund t’i thërrasim edhe hajatijunët apo vitalistët – ata që besojnë tek jeta) na ka shërbyer në një shkrim tjetër, për të qortuar festimin e Vitit të Ri nga muslimanët shqiptarë. Ajo çka kemi thënë tek ai shkrim, ishte bindja se në fakt dehrijunët duke pohuar si realitet para dhe pasprirës vetëm Kohën, në fakt jo thjesht mohonin ekzistencën e Zotit si Krijues i Gjithçkaje përfshirë kohën, por e zëvendësonin në ibadetetet e brendshme (frikë dhe shpresë) Zotin me Kohën, duke u mbështetur tek Koha për të patur siguri mbi fatin dhe riskun. Qëllimi ynë ishte të tërhiqnim vërejtjen sesi në mënyrë të fshehtë, pa e kuptuar ata vetë, festuesit e Vitit të Ri (që është një festë që kremton Kohën), përfshiheshin në një praktikë idhujtarie të pavetëdijshme që i largonte nga adhurimi i Zotit të Vërtetë. Ngaku pashmangshmërisht rrjedh që edhe dehrijunët e xhahilijetit dhe në fakt të gjithë mohuesit e ekzistencës së Zotit, si rregull e pasojnë mohimin e Zotit me pohimin e diçkaje tjetër, dhe që automatikisht është ajo çka mbetet pas largimit që i bëjnë ata Zotit të Vërtetë prej mendjeve të tyre.

Pra jemi duke thënë se rastet e praktikimit në grup të ateizmit janë të rreme, sepse edhe nëse nisin si ateizëm përfundojnë pashmangshmërisht si idhujtari (shpërndërrim që mundësohet edhe nga fakti që të dyja janë kufër – mosbesim). Çka edhe qartëson përse Kurani merret parasëgjithash me idhujtarinë dhe jo me ateizmin, sepse ateizmi shkatërron vetveten: pikërisht si pasojë e Fitres, pra natyrës njerëzore të mbrojtur prej Teuhidit, çdo përpjekje për ta refuzuar Zotin E Vërtetë nuk finalizohet me ateizëm por me zëvendësim në adhurim, duke adhuruar tashmë tagutin e radhës, pasiqë është Zoti që ia ka përcaktuar njeriut nevojën për adhurim si nevojë të pazhdukshme.

Ngasa më lart, mund të thuhet se ateizmi si bindje dhe praktikë e kultivuar mes njerëzve, është i pamundshëm, sepse për çdo rast shpërndërrohet në idhujtari; (pra ne besojmë se nëse për ateizmin ka ndonjë mundësi, ajo ndodh vetëm kur ateizmi përftohet individualisht nga një person, me shkak të dukshëm kombinimin fatkeq të rrethanave të jetës së tij. Dhe sesi mund të ndodhë kjo, nëse gjithsesi ndodh, do e tregojmë në vazhdim).

3.

Në njërin prej teksteve kulmorë të Modernes në Perëndim, në romanin”Neveria” të Zh.P.Sartrit, Rokanteni, një personazh ateist, i vrojton dhe i qorton bashkëkohësit e tij, të cilët e pohonin Ekzistencën e Krijuesit, duke vënë në dukje faktin se besimi i tyre tek Zoti ishte pragmatik: sipas Rokantenit, ata besonin me qëllim që t’u lejohej të ishin të cekët, me mirënjohje sipërfaqësore dhe me kapacitet komunikues të çalë. Pra e kishin ndërtuar marrëdhënien me Zotin në mënyrë të tillë që përmes ndjekjes së protokollit të procedurave të përfitonin sigurinë e të qenit në rregull me Zotin. Jo si besimtarë të një feje me Libër, por (siç kemi thënë) si idhujtarë që Librin e duan vetëm si dëshmi të faktit që Zoti flet, pa ndjerë nevojën për ta njohur sa më shumë Të Folurën e Zotit dhe Vetë Zotin.

Por ajo që mund të përfitojmë më shumë nga kjo situatë kundërvënëse mes Rokantenit ateist dhe kristianëve të rëndomtë në Francën e fillimshekullit të 20, është mundësia e ekzistencës së Rokantenit, pra paraqitja e mundësisë për të qenë e dikujt që është njëherazi ateist, i ndershëm dhe inteligjent. Sigurisht gjithmonë është e mundshme të vërtetohet se kufri është shprehje akute e mosmirënjohjes (pra që një ateist nuk mund të jetë i ndershëm) dhe se kufri po ashtu është shprehje e sigurtë e budallallepsjes (pra gjykimi i një ateisti është i mangët) (dhe me siguri që në shumicën e rasteve kështu edhe është), por mos harrojmë se kufri është në thelb një humbje rruge dhe si i tillë mund të shpjegohet edhe me humbjen e orientimit, ndryshe me humbjen e Fitrës, e mjaftueshme për të çuar në mobesim pavarësisht ndershmërisë dhe inteligjencës. Pra, përmes një realiteti fiksional, merret e mirëqenë se dikush i shkëputur nga Tradita e Librave dhe Profetëve të Zotit, me Fitre të deformuar, në një qytetërim materialist dhe frenetik, me anë të përpjekjes individuale, meditimit dhe deduksionit (të cilat janë të vetmet që i kanë mbetur), mund të mos ia mbërrijë dot Njohjes së Krijuesit dhe Krijimit si Vepër të Zotit, dhe të konkludojë gabim (në mirëbesim ndaj gjykimit të vet dhe rrethanave të jetës së vet) se Zoti nuk ekziston.

Dhe nëse kjo mundësi është fiksionale, nuk është e pamendueshme që kjo të ndodhë realisht, sigurisht në të rrallë dhe me mundim. E le të jenë raste të pakta, aq më mirë,sepse aq sa mund të shërbejnë si cak metodologjik për besimtarët; ndershmëria e tyre dhe inteligjenca e tyre, nuk janë hipotetike apo të rreme, por të testueshme: nëse jeta e tyre pas mbërritjes tek refuzimi i ekzistencës së Krijuesit, nuk karakterizohet nga vështirësia akute dhe depresioni i dhënë, nga pamundësia për të përfytyruar të vërtetën si një gjë me kuptim, nga absurdi dhe pamotivueshmëria permanente, atëherë edhe nëse është ateist, i mungon ose ndershmëria, ose inteligjenca, ose në rastin më të keq të dyja.

Por ky nuk është rasti i Rokantenit, ai tek ateizmi nuk shkon përmes imitimit apo huazimit si të një modeli tashmë të preferuar, por përmes nevojës për të vërtetën, mosgjetjen e së cilës e asocion me mosgjetjen e Zotit (pra ndryshe nga një idhujtar, mëkati bazë i të cilit është mosmirënjohja, për një ateist mëkati bazë është ambicja për ta njohur gjithë të vërtetën në të njëjtin nivel me Krijuesin, duke e marrë të mirëqenë barazinë me Zotin). Pra ky nuk është rasti i Rokantenit edhe sepse ateizmi e bën atë të kaplohet nga absurdi i shprehur edhe fiziologjikisht nga neveria, për fat kaplohet prej tyre, sepse ato janë dëshmi që ai ishte inteligjent dhe i ndershëm, paçka se në humbje të qartë.

Si i tillë Rokanteni na shërben ne si filtër metodologjik nëse përfytyrojmë se mund të tejkalojë ndershmërinë dhe inteligjencën tonë, madje në fakt ka shumë mundësi t’i tejkalojnë nëse ne na mjafton vetëm fakti që Zoti Flet, pa aspiruar të komunikojmë me Të dhe pa e ngjyrosur me Fjalën e Tij çdo gjë me të cilën kemi të bëjmë. Në këtë rast, ndershmëria dhe inteligjenca e ateistëve s’mund t’mos i çojë herët a vonë, ose ta quajnë idhujtari besimin tonë (sigurisht deduksioni i tyre nuk qëndron, vetëm se ata do të kenë të drejtë në emër të pikëllimit të tyre, të jenë të pasaktë), ose në rastin më të mirë të na quajnë jointeligjentë dhe jotësinqertë. Prova për këtë? : aspirata jonë për një jetë të qetë, plot rutinë, shprehi e inerci.

Aq më tepër që Rokanteni dhe të ngjashmit, këtë konstatim të pavend të tyre (shoqëruar gjithsesi me intuitën e atij që ka të drejtë) mund ta përdorin si argument jo thjesht kundër nesh, pra besimtarëve në përgjithësi, por kundër fesë dhe besimit, (pra duke u bëre ne sebep që të mendohet keq për to), duke deduktuar që idhujtaria nuk është një anomali por një normë, ndryshe e pashmangshme, pra dhe se Komunikimi me Zotin është për çdo rast utopik – i pamundshëm (ky deduksion i fundit nuk është hipotetik, sepse tashmë kjo ka ndodhur, është një nga tezat kryesore të manualit me të cilat shërbehen kundërshtarët ateistë të fesë).

4.

Ngasa thamë, rezulton se është pjesë e paqartësisë sonë të përgjithshme, edhe kjo paqartësi e radhës, pra se në kohën tonë ballafaqimi kryesor i davetit ka të bëjë me ateizmin dhe ateistët dhe jo me idhujtarinë dhe idhujtarët.

E vërteta është se numri i shtuar në kohën tonë, i personave që deklarojnë ateizmin, nuk do të thotë se ata janë vërtet ateistë (dhe ne e dimë këtë edhe nga fakti se sheriatikisht ateisti është ai që e fsheh besimin), (sikurse na rezultoi për dehrijunët), porse në të vërtetë shtiren apo budallallepsen, pra janë ateistë të rremë ose ndryshe idhujtarë të pavetëdijshëm. Dhe nuk ka rëndësi sesi e quajnë ata veten, të budallallepsur nga shndërrimi i ateizmit në modë (një lloj marke kulturore e bashkëlidhur me idenë e emancipimit dhe zhvillimit), sepse duke e marrë seriozisht budallallepsjen e tyre, rrezikojmë të synojmë t’i shërojmë nga sëmundja që s’e kanë e ta pësojnë nga sëmundja që s’ia mjekojmë.

Nga ana tjetër, ateistët vërtet të mundshëm, pra ateistët e vetmuar, nuk i shohim kërrkund mes bashkëkohësve tanë, pra se nuk e shohim pikëllimin e tyre për fitoren përfundimtare të absurdit, as inteligjencën dhe ndershmërinë. Po të ishin do të kishim vetëm një mundësi me to: t’i ndihmonin të shëndoshnin dhe ripërtërinin Fitren e deformuar. (E fakti që s’janë na ka lënë ne si besimtarë, pa të vetmit kritikë jashtë nesh, nga kritika e të cilëve ndoshta mund të përfitonim; por sidomos na ka lënë pa një referencë të prekshme sesa mirësi e madhe është udhëzimi në besim).

Ndaje