Çmimi i “kënaqësisë”?

  • Nëse marrim shembull programet televizive, një studim tregon se prej 1000 programeve televizive 64% prej tyre përfshijnë përmbajtje seksuale me një mesatare prej 4.4 skena seksuale në orë.
  • Në rastin kur individi ekspozohet ndaj pornografisë atëherë lirohet një sasi e tepërt e dopaminës, pikërisht nga kjo pjesë e trurit. Si pasojë individi zhvillon një nivel të ri më të lartë tolerance të dopaminës, dhe kërkon imazhe dhe video pornografike të reja, ose më ekstreme se më parë.
  • Nëse këto përmbajtje fuqizojnë dhe trajtojnë dhunën seksuale si diçka normale, atëherë kjo mund të kontribuojë në krijimin e një kulture seksuale të dëmshme, duke rritur mbase edhe numrin e incidenteve dhe sulmeve seksuale.

Nga reklamat provokuese, rrjetet sociale, muzika, e deri tek filmat eksplicit, ekspozimi ndaj përmbajtjeve seksuale po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë. Nëse marrim shembull programet televizive, një studim tregon se prej 1000 programeve televizive 64% prej tyre përfshijnë përmbajtje seksuale me një mesatare prej 4.4 skena seksuale në orë (Kunkel et al., 2003). 

Në anën tjetër, muzika me përmbajtje seksuale, gjithashtu ka një ndikim të thellë në qëndrimet tona ndaj seksit dhe sjelljeve të tjera në përgjithësi. Studimet tregojnë se ekspozimi ndaj muzikës eksplicite seksuale është i lidhur me aktivitetin e hershëm seksual dhe rritjen e sjelljes seksuale të rrezikshme tek adoleshentët. Në përgjithësi, mesazhet që kumtojnë këto përmbajtje duke barazuar seksin me fuqinë, zhveshjen me lirinë, bukurinë me suksesin, janë shpeshherë implicite dhe të padukshme në shikim të parë. Ndikimi mund të jetë shumë më i madh për fëmijët dhe adoleshentët që nuk kanë ende plotësisht të zhvilluara funksionet ekzekutive të trurit-që janë bazë për mendimin logjik, vlerësimin e normave sociale etj. Efektet e këtyre përmbajtjeve dhe ndikimi i tyre në sjelljen e fëmijëve shihet në përditshmëri.

Tendenca e fëmijëve dhe adoleshentëve për t’u “rritur para kohe”- qoftë me biseda, qoftë me veshje dhe dukje, është pikërisht si rrjedhojë e seksualizimit të hershëm të gjithçkaje rreth botës së tyre. Këto kalime të periudhave të fëmijërisë, nëse nuk janë mirë të manifestuara mund të sjellin probleme të shumta mendore. Në esencë, fëmijët duhet të jenë fëmijë, dhe duhet të duken si të tillë.

Duket se mesazhet implicite që vijnë nga prezenca e madhe e përmbajtjes seksuale në media bartë një kosto të lartë në sjelljen tonë dhe si rrjedhojë në shëndetin tonë mendor.  Por, në anën tjetër, problemi më i thellë qëndron tek ekspozimi i përmbajtjeve seksuale ende më eskplicite, krahasuar me programet televizive, muzikën dhe rrjetet sociale. Më saktësisht, pornografia dhe nudizmi, janë dy prej fenomeneve në rritje, kjo mbase si rrjedhojë e qasjes së lehtë të këtyre përmbajtjeve në internet. Hulumtimet kanë treguar se ekspozimi ndaj përmbajtjes seksuale, duke përfshirë pornografinë dhe nudizmin, mund të ketë efekte të dëmshme në shëndetin tonë mendor. 

Një nga shqetësimet më të rëndësishme është potenciali për varësi nga kjo lloj sjelljeje. Kjo hipotezë ka zënë ende më shumë vend, me të zbuluar se truri ka “neuroplasticitet”, dhe jo vetëm që ka aftësinë të ndryshojë, por që funksionon duke ndryshuar strukturën e tij në bazë të eksperiencave tona. Një shtytës kryesor i neuroplasticitetit është qendra e “shpërblimit”, e cila normalisht aktivizohet kur arrijmë një qëllim të caktuar. Në rastin kur individi ekspozohet ndaj pornografisë atëherë lirohet një sasi e tepërt e dopaminës pikërisht nga kjo pjesë e trurit. Si pasojë e këtij lirimi të tepërt, individi zhvillon një nivel të ri më të lartë tolerance të dopaminës, dhe kërkon imazhe dhe video pornografike të reja, të ndryshme ose më ekstreme se më parë për të arritur kënaqësinë e njëjtë. Kjo e lë personin të kërkojë më shumë, dhe si rrjedhojë të krijojë potencial për varësi.

Studimet tregojnë se varësia nga përmbajtjet pornografike, dërgon në ndryshime strukturale dhe funksionale të trurit, të ngjashme me ndryshimet si pasojë e varësisë ndaj alkoolit dhe substancave narkotike. Dr. Valerie Voon, neuropsikologe në Universitetin e Cambridge-it thotë se “Kur një alkoolist sheh një reklamë për një pije alkoolike, truri i tij ndizet dhe stimulohet në një mënyrë specifike. Të njëjtin lloj të aktivitetit në tru e shohim tek përdoruesit e pornografisë”. Në figurën më poshtë mund të shihet vizualisht truri si pasojë e përdorimit të heroinës dhe truri si pasojë e ekspozimit ndaj pornografisë, që në krahasim me trurin e shëndoshë tregojnë ndryshime strukturale të ngjashme. 

Ref: Voon, V. (2014). Cambridge University Study: Internet Porn Addiction Mirrors Drug Addiction (Voon Et Al., 2014). Your Brain On Porn, 10.

Përveç kësaj, studimet tregojnë se sa më i shpeshtë të jetë ekspozimi ndaj përmbajtjeve pornografike aq më e lartë është tendenca për të përjetuar simptoma të depresionit, ankthit dhe stresit (McKee et al., 2007). Me tej, ndër efektet tjera janë desensibilizimi dhe qëndrimet/mendimet e shtrembëruara ndaj seksit dhe marrëdhënieve me të tjerët (Kühn & Gallinat, 2014). Industria pornografike portretizon një standard të bukurisë fizike, sjelljes seksuale joreale dhe shpesh të dëmshme, gjë që shtyn njerëzit të bëjnë krahasime në mes të këtyre standardeve dhe vetës së tyre. Si rezultat i kësaj diskrepance ata krijojnë perceptime negative për veten, ndjehen të turpëruar dhe të pakënaqur me pamjen që kanë ata apo partneri i tyre.

Debati mbi efektin e ekspozimit të përmbajtjeve seksuale qoftë implicite apo eksplicite, ka të bëjë shumë më tepër sesa thjeshtë me efektet e mundshme në mirëqenien dhe shëndetin mendor të individëve. Ekspozimi ndaj përmbajtjeve seksuale lidhet me vlerat, etikën dhe moralet që kemi si shoqëri, në formësimin e çështjeve më të gjera sociale dhe politike, si pabarazia gjinore apo dhuna seksuale. Nëse këto përmbajtje fuqizojnë dhe trajtojnë dhunën seksuale si diçka normale, atëherë kjo mund të kontribuojë në krijimin e një kulture seksuale të dëmshme, duke rritur mbase edhe numrin e incidenteve dhe sulmeve seksuale. Duke ditur këtë ndikim të madh, është e rëndësishme të reflektohet rreth mënyrave në të cilat përmbajtja seksuale qoftë implicite apo eksplicite ofrohet dhe përdoret në shoqërinë tonë, dhe kjo tregon nevojën për të vendosur kufij të shëndetshëm mbi seksin dhe seksualitetin.

Ndaje