Metafizika dhe ideologjia

(përsëri për grupet)

Në Suren El-Huxhuratë, ajeti 13, Allahu thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më fisniku ndër ju është ai që më tepër është ruajtur e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”. 

Duke qenë se në këtë rast kemi të bëjmë me një pohim eksplicit – të drejtpërdrejtë, themeluar nga fqinjësia pozicionale e dy koncepteve, popull dhe dallim, (sikurse thamë kur në ajetin 183 të Sures Bekare, vërejtëm të njëjtën analogji të kushtëzuar konceptuale, mes koncepteve agjërim dhe devocion), nuk ka dyshim për lidhjen gjenetike mes ndarjes së njerëzve në popuj dhe funksionit të pastër diferencues të kësaj ndarjeje. Nëse është kështu, atëherë ndarja e njerëzve në popuj, në vetvete nuk ka kuptim por vetëm funksion, pra Zoti e ka programuar kështu strukturën e njerëzimit, heterogjene, me qëllim që dallimi të jetë i parmë – i dhënë – zanafillor, pra kushtëzim konstant dhe i përhershëm i perceptimit të njerëzve për identitetin e tyre, për mënyrën se si e mendojnë dhe përfytyrojnë veten – atë çka janë. Thënë ndryshe, ndarja e njerëzimit në popuj, nuk nënkupton kurrfarë diference vlere paraprake, për pasojë kurrfarë hierarkie të dhënë, siç edhe e konfirmon pjesa konkluduese e ajetit, ku konfirmohet se hierarkia themelohet mbi virtytet të cilat fitohen duke u përpjekur. Pra përjashtohet që popujt të dallohen për nga vlera apo rëndësia sipas një hierarkie të caktuar që në fillim nga Zoti, pra që ka popuj të cilëve Zoti u ka caktuar një mision e për këtë arsye janë superior karshi popujve të tjerë. 

E thënë ndryshe dallimi mes popujve që vjen prej Zotit, i përket rrafshit të formës dhe jo rrafshit të përmbajtjes. Pra Zoti nuk i ka ndarë popujt që në origjinë në popuj të mirë e të këqij, të drejtë e të padrejtë, të prirur drejt besimit apo të prirur drejt mosbesimit, por i ka ndarë në rendin e cilësive neutrale, që në vetvete nuk kanë domethënie si origjina, territori, madhësia, gjuha, që po i quajmë këtu cilësi të rrafshit formal. Të qenit të ndryshëm të popujve në nisje është vetëm se kusht që të bëhet e mundshme që popujt të fitojnë vetëdijen e fatit të vet duke garuar me popujt e tjerë, gara në rrafshin e përmbajtjes, pra se cili popull do jetë më i drejtë, më vetëreformues, më kontribuues në mirëqenien dhe mbarëvajtjen e përgjithshme të njerëzimit. 

Në shkrimin tonë “Grupet”, ne jemi mbështetur pikërisht mbi këtë kuptimësi kuranore, kur kemi treguar se të qenit e shoqërive – popujve (gjatë gjithë kohës termi shoqëri, në këtë diskutim shkëmbehet si sinonim i plotë me termin popull) të përbërë nga grupet, nuk është thjeshtë një konstatim fakti, por thelbi i të qenit të tyre, pasi që jeta e shoqërisë (e çdo shoqërie) dhe vlera e saj, suksesi apo dështimi i saj, përcaktohen nga relacionet mes grupeve që e përbëjnë, ne kemi deklaruar se shoqëria si e tillë është vetëm një paketim për të mbajtur bashkë grupet. 

  1. Sepse është e qartë se nuk është shoqëria që i kushtëzon dhe ndryshon grupet, por janë grupet (për çdo rast njëri prej tyre) që e kushtëzojnë dhe ndryshojnë shoqërinë. Që do të thotë se Shoqëria si njëri prej tre rendeve të përkatësisë së individëve (dy të tjerët janë Grupi dhe Njerëzimi), në origjinë është e zbrazët, një formë e domosdoshme për të mbështjellë – paketuar aq grupe sa të mundet: derisa të paketohen të gjitha grupet që përbëjnë njerëzimin, aq shoqëri do të ketë. 
  2. Shoqëria (atë që në realitetin e sotëm gjeopolitik e quajnë shteti – komb) e vendos neutralitetin e zbrazësisë së saj gjenetike, në funksion të aspiratave të grupeve (edhe si pjesë e Njerëzimit), dhe vetëm në këtë mënyrë ajo vetë mbushet me përmbajtje dhe kuptim. Kjo zbrazësi është funksion i këtij ekuilibri: i zhvillimit harmonik të aspiratave të individëve njëkohësisht si pjesëtarë të grupit dhe njerëzimit. Një shtet – komb që nuk e mbërrin këtë, ka humbur të vetmen mundësi për zhvillim dhe prosperitet (megjithëse edhe pse i humbet këto, sërish nuk i mbetet pak: inercia dhe mbijetesa). 
  3. Për çdo rast, e mbërrin apo nuk e mbërrin këtë ekuilibër, shoqëria për nga natyra e vet gëzon këtë neutralitet të një forme pa përmbajtje të vetën, me qëllim që të jetë hapësira e përshtatshme që nga ballafaqimi midis aspiratave të grupeve (që gjenerojnë përmbajtjet e grupeve), të bëhet e mundshme që njëri prej grupeve, ai që në një moment dominon, të induktojë aspiratat dhe kuptimet e tij tek institucionet e shoqërisë dhe t’u imponohet grupeve të tjera. Pra për çdo rast grupet kushtëzojnë njëri-tjetrin, (si rregull njëri-të tjerët, gati si rregull herë njëri prej tyre e herë një tjetër, por jo medoemos me radhë) dhe përmes këtij kushtëzimi mbarë shoqërinë (dhe jo shoqëria grupet, ose në rastin më të mirë: shoqëria e bën këtë vetëm duke u përdorur si gadget nga njëri prej grupeve). 
  4. Nga sa siç rezulton, shoqëria është ashtu si ka dashur dhe përcaktuar njëri prej grupeve që e përbëjnë atë, i cili grup në një moment të favorshëm dominimi, e ka përdorur neutralitetin e formës së gatshme të shoqërisë për të implikuar dhe kushtëzuar me aspiratat dhe kuptimet e veta edhe grupet e tjera. 

Thënë ndryshe, shoqëria në vetvete nuk ka kapacitetin të përftojë një sistem vlerash, një botëkuptim, një metafizikë mbështetur tek natyra e saj dhe mënyra e saj e të qenit; dhe në këtë kuptim ajo në mënyrë të natyrshme është e destinuar të mbetet bosh. Që shoqëria të mbushet e të ketë një përmbajtje, një sistem vlerash dhe një modul gjenerativ kuptimesh, ka dy rrugë: ose përmes ideologjisë – që në origjinë është një anomali e pashmangshme, ose përmes metafizikës – normale në origjinë, por me potencial të lartë anomalizmi gjatë rrugës. 

Tek mundësia e paktë për ta shmangur anomalinë në ardhje, pra përmes një metafizike, mbështetet i gjithë suksesi i vetëm i mundshëm i një shoqërie (a më shumë), i një populli (a më shumë). Dhe kjo është që shoqëria (a populli) të ketë në mesin e vet një grup me potencial të lartë imagjinate, që i kapërcen thekët e pakos ku gjendet i mbështjellë dhe si pjesë e njerëzimit gjen një doktrinë a një metafizikë universale, të cilën pasi e përbrendëson vet, ia indukton gjithë shoqërisë dhe institucioneve të saj, duke mundësuar potencialisht një epokë të re prosperiteti dhe zhvillimi për mbarë shoqërinë (gjithmonë nëse metafizika e aspiruar është e duhur dhe përpjekja e grupit është optimale – gjë e vështirë dhe e rrallë, prandaj anomalia është zanafilla dhe shmangia e saj, me fat e mundshmja). 

Ndërsa nëse shoqëria (që për nga natyra është formë e zbrazët) synon të ketë një përmbajtje përmes një ideologjie, siç thamë është gjithmonë dhe pashmangshmërisht një anomali, sepse një ideologji mbështetet në përpjekjen për të nxjerrë nga fakti i diferencave formale një kuptim e prej tij një hierarki (e në rastin kur kjo ideologji është nacionalizmi), ku populli në fjalë qëndron në krye, duke e shpjeguar ekzistencën e njerëzimit si një funksion plotësues i misionit të këtij populli. 

Kjo rrugë është e vjetër dhe në shfaqjen e saj më e qëndrueshme në histori, ka pasur trajtën e popujve perandorakë, të cilët madhësinë apo fuqinë apo epërsinë gjeopolitike të tyre, si elemente dallimi formal me popujt e tjerë, i kanë shfrytëzuar për t’i dominuar këta popuj duke e paraqitur këtë dominim si pjesë të rendit të gjërave. 

Por në trajtën e saj të re, moderne, kjo anomali është nacionalizmi si ideologji thelbi i së cilës është që nga elementet formale – operacionale të cilat vijnë nga Zoti dhe kanë vlerë dallimi dhe identifikimi, duke i shpallur ato të vlefshme në vetvete, pra jo si start por si finale, jo si mjete por si qëllim, të nxjerra nga një doktrinë për popullin që i gëzon këto elemente formale, duke i dhënë atij atribute eskatologjike, për realizimin e të cilave çdo gjë është e përligjur. Aq i dëmshëm dhe i papranueshëm sa që nacionalizmi është, vjen prej shkeljes së caktimit të Zotit: Zoti ka caktuar që popujt të dallohen mes tyre në rrafshin e përmbajtjes, kurse nacionalizmi, si çdo ideologji mbështetet në mbitheksimin e dallimeve formale, duke i paraqitur ato sikur janë vet përmbajtja. 

Kjo është në thelb ajo që ka vërejtur B. Anderson tek “Komunitete imagjinare”, kjo mundësi e epokës moderne (e shekujve 19-20) që përmes industrializimit të imazheve dhe identifikimeve, ta lidhë ekzistencën e një individi me ekzistencën e universit dhe njerëzimit, përmes përkatësisë së tij tek një komb, superioriteti dhe misioni i të cilit me durim këmbëngulje e sakrifica, do të vijë dita të dëshmohet nga njerëzimi dhe universi. 

Çka thamë na ndihmon të qartësojmë se çfarë ka ndodhur dy shekujt e fundit (dy shekujt e modernes), në thelb shpjegohet si triumf i ideologjisë mbi metafizikën: dy metafizikat rivale, komunizmi dhe socialdemokracia, që u shfaqën si divergjenca më e madhe e Luftës së Ftohtë, në fakt rezultuan fasadë, sepse sidomos shekulli 20, përforcoi prirjen e shekullit të 19, se konflikti themelor botëror tashmë është ideologjik dhe jo metafizik, pra konflikt mes popujve të pajisur me një doktrinë formale, siç qe nacionalizmi. Kjo kontradiktë kolosale (sepse është evidente se s’mund të jenë të vlefshme të dyja rrugët – edhe metafizika edhe ideologjia: ato e përjashtojnë njëra-tjetrën) shpjegon në njëfarë mënyre edhe pse modernia qe një projekt global skizofrenik dhe utopik. 

Pra brendapërbrenda modernes tendenca ideologjike nacionaliste e dominoi tendencën metafizike, duke i çuar popujt drejt një ideologjie të formës së zbrazët, e cila në fund përfundon të ushqejë vetveten. Dhe pas rënies së modernes, ky dominim tregon se si sot në shekullin e 21, (pasi kanë dështuar edhe metafizika e komunizmit edhe e socialdemokracisë), nacionalizmi gjendet realisht përballë një rivali, pra një ideologjie tjetër, siç është neoliberalizmi i cili mund ta mundë nacionalizmin duke e luftuar me armët e tij, sepse si një përpjekje për ta shndërruar formën në përmbajtje, neoliberalizmi po e bren nacionalizmin, duke ekzaltuar veçantitë e njerëzimit real në rivalitet me njerëzim imagjinar. 

Ai botëkuptim, ai sistem vlerash apo ajo skemë dispozitash që Zoti ua jep njerëzve, është çfarë deri më tani këtu e quajtëm metafizikë. Dhe këtu qëndron edhe thelbi i dallimit të metafizikës nga ideologjia: ideologjia është produkt i përpjekjes për të gjetur një skemë konceptuale duke u nisur nga të dhënat me status neutral, kurse metafizika është një skemë konceptuale përtej dhe mbi faktet, përmes së cilës tejkalohet (dhe përjashtimet janë rast pas rasti) neutraliteti i të dhënave dhe fakteve. 

Ndërsa ajeti 13 i Sures Huxhuratë dekurajon përftimin e ideologjisë, një ajet tjetër, ajeti 48, i Sures Maide, inkurajon përkushtimin tek metafizika dhe rivalitetin me të: “Ne edhe ty (Muhamed) ta zbritëm Librin e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre. Gjyko pra mes tyre me atë që Allahu e zbriti, e mos pëlqe epshet e tyre e të largohesh nga e vërteta që të erdhi. Për secilin prej jush, Ne caktuam ligje program (të posaçëm në çështje të veprimit). Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një bashkësi, por deshi t’ju sprovojë në atë që ju dha juve, andaj ju përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithëve u është tek Allahu, e ai do t’ju njoftojë për atë që kundërshtoheshit.” 

Pikërisht atë çfarë Allahu këtu e quan ligj e program është ajo çfarë deri më tani e quajtëm metafizikë, si e kundërta e ideologjisë. Dhe ndriçimi i të njëjtës çështje nga dy ajete shumë të largëta me njëri – tjetrin (49-13 dhe 5-48), mundësohet nga prania në to i dy pohimeve të ngjashme (“ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete…” 49 – 13; “Sikur të donte Allahu do t’ju bënte një shoqëri…” 5 – 48) që asociohen bashkë në rendin e asociacioneve të lira të dukshme. Dhe njëri ajet e paralajmëron garën (pra thjesht që ka garë pa e thënë se për çfarë) mes popujve si ligj (dhe ndryshimet formale si fakte neutrale që mundësojnë njësinë e identiteteve gjatë garës), kurse ajeti tjetër tregon se për çfarë gare bëhet fjalë, pra për garë në rendin e metafizikave të dhëna paraprakisht, për aq sa secila prej tyre aspiron punë të mira. Popujve, përmes grupeve dominuese (grupet e metafizikës duke mos harruar se Zoti ka caktuar të jemi formalisht të ndryshëm, grupet e ideologjisë duke mos harruar se te Zoti do të bashkohemi tek punët e mira), u mbetet kjo garë dhe se cili e fiton garën është diçka që do të merret vesh vetëm tek Allahu.

 

Ndaje