- Fuqia e kinematografisë është vendimtare në atë se si shumë njerëz e shohin botën. Andaj, është shumë e bukur kur filmi e shpërfaq bukurinë e natyrshmërisë njerëzore.
- “Interstellar” trajton tema si dashuria në mes prindit dhe fëmijës, sakrifica tek njerëzit, si dhe flet për raportin tonë me hapësirën e pakufishme.
- “Interstellar”, mbi të gjitha është një kujtim i fuqishëm i potencialit të jashtëzakonshëm të artit filmik për t’ na lëvizur dhe frymëzuar të gjithëve, dhe një dëshmi e krijimtarisë dhe imagjinatës së pakufishme të shpirtit njerëzor.
Relacioni im me filmin është që “për një skenar të mirë” ia vlen t’i harxhosh nëse duhet edhe tri orë”. Ndërlidhja e dashurisë, sakrificës dhe kohës, që na shfaq në horizont filmi “Interstellar”, krah për krah me frymëzimin, na shtyn të mendojmë se si qëndrojmë ne përballë këtyre koncepteve.
Përditshmëria në epokën e konsumit dhe imazhit, na ka kthyer në spektator të cilët vetëm bëjnë scroll brenda shumësisë së zgjedhjeve që i kanë përpara, duke u bërë “peng” i përmbajtjeve pa përmbajtje, e të cilat na largojnë çdo herë e më shumë nga përsiatje se cili është roli ynë brenda familjes dhe shoqërisë.
Një perlë e kinemasë botërore moderne, ”Interstellar” pa dyshim ndodhet në listën e shumicës prej nesh si ndër filmat më me ndikim dhe më të bërë me mjeshtëri ndonjëherë në historinë e kinemasë.
”Interstellar” nuk është vetëm një film, por është një histori e dashurisë, e humbjes dhe më e rëndësishmja, e kohës. Me anë të mënyrës së përsosur të tregimit, Christopher Nolan arrin që të krijojë për audiencën, një ngjarje aq magjepsëse sa që ajo do të qëndrojë në ne për një kohë të gjatë. Këtu flitet për rrugëtimin e disa astronautëve nëpër hapësirë, me qëllim kërkimi të një planeti ku njerëzimi mund të jetojë, pasi që Toka ka filluar të bëhet e pabanueshme.
Por, historia shkon përtej kësaj. Kuptimi i vërtetë i “Interstellar”, fshihet pas dashurisë në mes prindit dhe fëmijës, ku bëhet më se e qartë se dashuria – forca e pandalshme e jetës sonë – mund të sfidojë kohën dhe hapësirën. Ky realizim kinematografik na e sjellë para neve një histori shumë të veçantë, të ndërtuar mbi një mesazh universal: Dashuria është arsyeja pse personazhi Cooper, luajtur mjeshtërisht nga Matthew McConaughey, arrin të flasë me vajzën e tij ndonëse ndodhen në dy periudha krejtësisht të ndryshme të jetëve të tyre. Relacioni në mes babait dhe vajzës paraqitet si një forcë aq e fuqishme, sa që kalon përtej koncepteve të cilat ne i vlerësojmë si të pamundura.
Po ashtu, një nga temat që filmi në mënyrë indirekte tenton të na tregojë, është rëndësia dhe pesha që kanë vendimet tona në të ardhmen. Në rast se Cooper nuk do të shkonte në mision, ndoshta do të kishte mundësinë ta shihte vajzën e tij të rritej, por në anën tjetër njerëzimi nuk do të kishte kuptuar kurrë se a do të mbijetojë. Pa dyshim, zgjedhjet që bëjmë gjatë jetës – qofshin negative ose pozitive – gjithmonë do të kenë ndikim tek ne dhe tek të tjerët rreth nesh.
Një temë tjetër që theksohet në “Interstellar”, është edhe koncepti i sakrificës. Cooper është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka, duke përfshirë edhe familjen e tij, për të mirën e njerëzimit. Ndërmarrja e Cooper-it është një pyetje edhe për ne, pasi që nëse do të ndodheshim në pozitën e tij, a do t’i bënim të njëjtat sakrifica si ai?
Megjithatë, sipas mendimit tim, koncepti, tema dhe subjekti më i rëndësishëm që e trajton ky film është koha.
“Interstellar” e arrin edhe një efekt tjetër te shikuesi, atë të meditimit për përmasat e njeriut brenda gjithësisë së pakufishme, si një faktor tej mase i vogël dhe i papërfillshëm në skemën e gjerë të ekzistencës.
Në njërën anë pafuqia jonë në raport me përmasat e hapësirës së pakufishme, së bashku me muzikën mjeshtërore të Hans Zimmer, krijojnë një ndjenjë duale; madhështie dhe frike, që shpërfaqin edhe njëherë mrekullinë e ekzistencës sonë. Muzika përmban gjithashtu një ritëm, në fakt një tingull që përsëritet, e që e shpërfaq realitetin e kohës, e cila kalon shpejt, duke u kthyer në histori, gjë që shton ndikimin emocional të filmit te shikuesi. Eksplorimi dhe shtjellimi i këtyre koncepteve na shtyn që ta shohim filmin përtej një aventure fantastiko-shkencore, në një meditim vërtetë të thellë mbi natyrën e kozmosit dhe përvojën njerëzore përballë saj.
Si përfundim, “Interstellar” ndodhet në majat e artit kinematografik, një arritje që do të mbahet mend edhe në vitet në vijim. Është një kujtim i fuqishëm i potencialit të jashtëzakonshëm të artit filmik për t’ na lëvizur dhe frymëzuar të gjithëve, dhe një dëshmi e krijimtarisë dhe imagjinatës së pakufishme të shpirtit njerëzor.