Prishtina: Nostalgjia e një ‘parajse’ të vogël urbane

ÇKA RRËFEN HISTORIA E PËRJETIMEVE NË SHUARJE

  • Ndonëse Prishtina është lokalitet antik, origjina e saj urbane është e lidhur me kontekstin e urbanizimit Osman pas shek. XIV. 
  • Fragmentet nga dy hamamet publike, hanet, xhamitë, dyqanet zejtare, rrugët janë dëshmi për Prishtinën e Vjetër në shuarje e sipër.
  • Qendra me çarshinë dhe xhamitë qendrore, rrugët me kalldrëm, shtëpitë bukur të ndërtuara dhe jeta e gjallë e hapësirave publike të ndërmjetme e bënin Prishtinën një qytet tipik të vogël të kohës mesjetare.

Prishtina ende mban gjurmët e një lokaliteti të banuar që nga Neoliti i vonë, duke vazhduar me Ulpianën, njëra nga strukturat më të vjetra urbane në Kosovë e cila i takon periudhës bizantine. Edhe pse Ulpiana përfundoi së funksionuari si qytet aktiv në shek. VI pas një tërmeti të dytë i cili bëri që banorët ta braktisin atë, lanë pas një pjesë të strukturave të ndërtuara që ekzistojnë edhe sot. Nga shek. VII e tutje Prishtina si lokalitet ishte i banuar në zonat kodrinore për të cilat ka gjetje arkeologjike, si për shembull ekzistenca e Kalasë së Prishtinës në Mat (Lagjja Mati 1), ku mendohet se është zhvilluar edhe jetesa.

 

Megjithatë, origjina e qytetit të sotshëm të Prishtinës mund të thuhet që lindi në shek. e XIII, në një tokë të begatë e pjellore në mesin e dy lumenjve. Fillimisht ishte një fshat i vogël në kuadër të Artanës, qytetit të fuqishëm të atëhershëm. Por, ajo filloi të marr përmasat e një vendbanimi urban pas Betejës së Kosovës (1389), ku struktura urbane dhe ajo e ndërtimit u zhvillua në frymën orientale të kohës, e ndikuar rrënjësisht nga qytetet që veçse zhvilloheshin brenda territorit të Perandorisë Osmane.

Morfologjia organiko-dinamike e karakterizonte gjithë qytetin, me rrugë të karakterit dhe madhësi të ndryshme. Ishte e strukturuar në mëhalla dhe jetohej në komunitete, me një ndarje të theksuar ndërmjet jetës publike dhe private. Kishte zonën e qetë të banimit që përbënte pjesën më të madhe të qytetit, dhe atë aktive e socio-ekonomike në qendër të saj. Atë e përshkonte ‘Divanjolli’ si rruga më e gjallë e gjithë qytetit, e cilat kalonte përmes Çarshisë, e përbërë me afër 500 dyqane. Divanjolli ndërpritej në zemër të qytetit për të vazhduar me rrugën përgjatë së cilës zhvillohej ansambli unik i tri xhamive afër njëra tjetrës. Posedonte dy hamame publike të madhësive të ndryshme, një numër të madh të haneve, kopshteve, medreseve, xhamive, kafeneve, dyqaneve zejtare dhe çdo gjë tjetër që një qytet i vogël i kohës në kuadër të Perandorisë Osmane posedonte. 

Pjesa qendrore i takonte tregjeve-çarshive, hamameve, xhamive, objekteve administrative, haneve, kafeneve, gjallërisë, rrugëve të gjera përmes së cilave kalonin karvanë të shumtë me tregtarë e që lidhin qytetin me zonat tjera nëpërmjet arterieve kryesore që gjithmonë ishin bukur të dekoruara me gjelbërim dhe jetë sociale në të dy anët. Volumet, format dhe materialet të aplikuara në objekte dominonin qytetin duke treguar pikën qendrore, dhe ndryshimin e funksionit të objekteve nga ato private në publike. Një përdorim bukur i artikuluar i elementeve urbane dhe arkitektonike krijonin njëtrajtshmërisht lidhshmërinë e qendrës dhe zonave të tjera.

Jashtë qendrës, Prishtina karakterizohej me hapësira të qeta, kryesisht të banimit, të ndërtuara jo më të larta se dy kate. Mbi lartësinë e tyre ngiteshin xhamitë e lagjeve duke përqafuar çdo karakteristikë të lagjes, por me një voltmetri sa për t’u dalluar por përsëri ftuese, ndërsa minaret e gjata luanin rolin orientues. Rrugët e ngushta të thurura mjeshtërisht me kalldrëme të mbushura me fëmijë e gjallëri lozonjare, përkufizoheshin në të dy anët me muret e larta prej tullave të veshura me gëlqere pas të cilave fshiheshin sekretet e shtëpive dhe oborret e zbukuruara që zëvendësonin parqet e mëdha. Shtëpitë ishin të ndërtuara me materiale vendore prej guri, tulle e druri, të lyera me të bardhë e me dritare dhe dyer të dekoruara të gdhendura me finesë në dru.

 

Megjithëse Prishtina ishte një qytet i vogël, ishte i vetëmjaftueshëm për banorët, krijonte përjetime, dhuronte kujtime, frymonte natyralitet, ishte i të gjithëve dhe, kështu, i përbënte të gjitha karakteristikat e një qyteti të vogël të kohës së mesjetës. Prishtina nuk ishte kryeqendra, por ishte një qytet i cili për ata që e jetuan e vajtojnë shuarjen. Deri në shek. XIX zgjerimi dhe zhvillimi urban i Prishtinës ishte i njëtrajtshëm duke respektuar ‘rregullat’ e pashkruara të kohës, me gjithsej 12,000 banorë. Parajsa e vogël ‘osmane’ e mes dy lumenjve filloi të pësojë ndryshime e ndikuar nga fryma e re evropiane e kohës e prurë nga Perandoria Austro-Hungareze. Që nga ajo periudhë, ndryshimi i Prishtinës nuk kishte të ndalur deri më 1944 kur dhe lindi ‘Prishtina e re’, e që po vazhdon edhe sot. Pikërisht ky ndryshim i pandalshëm do të jetë objekt i trajtimit në shkrimet në vijim.

 

Ndaje