Zhvillimi i futbollit të Kosovës: Dy shtyllat ku duhet të investohet urgjentisht

Po e filloj me thënien: “Nga gjërat e parëndësishme në jetë, më e rëndësishmja është futbolli”. Kjo gjë dëshmohet pothuajse në çdo ditë edhe në një vend si i yni që vazhdon të ketë probleme të mëdha në të gjitha sferat.

Sa herë luan Kosova, apo klubet tona në garat evropiane, vëmendja e të gjithëve është te futbolli. Meshkuj, femra, të moshuar e të rinj flasin për futboll dhe pothuajse të gjithë kanë informacion, pasi po jetojmë në një kohë të tillë, në kohën e informacionit.

Rezultatet e Kosovës, puna e Federatës së Futbollit të Kosovës, talentet që janë rritur jashtë vendit, janë bisedat që i has në studio televizive, por edhe në shtëpi e tavolina kafesh.

Si në çdo sport edhe në futboll komentohen rezultatet, paraqitjet, suksesi dhe për një vend si i yni që është pranuar në UEFA në maj të vitit 2016, ato nuk kanë qenë të pakta, por kërkesa vazhdon të jetë më e madhe se sa ‘kaçiku’ që e kemi.

Në këndvështrimin tim, dy shtyllat që duhet urgjentisht investim dhe atë serioz janë infrastruktura dhe shkollimi i trajnerëve. Për ta bërë këtë gjë, futbolli duhet të kthehet në projekt kombëtar.

Infrastruktura

Infrastruktura shumë e dobët, më e dobëta në Evropë, terrene ku shpesh dominon ‘lloçi’, ndërsa fushat me bar sintetik janë kthyer në modë shkaku i mirëmbajtjes më të lehtë, por edhe numri i tyre vazhdon të jetë i vogël për dallim nga kërkesat e mëdha.

Në një qytet si Prishtina, që është edhe kryeqyteti ynë, t’i numërosh stadiumet, nuk dalin më shumë se dhjetë, numër shumë i vogël me kërkesat. Një klub si Ramiz Sadiku, që ka të regjistruar mbi 500 futbollistë nga kategoritë e reja deri te ekipi i parë, me një stadium të madh dhe dy të vegjël ndihmës, nuk mund të arrihet suksesi i pritur, edhe pse sukseset në nivel vendi për këtë klub janë të kënaqshme.

Njëjtë qëndrojnë pothuajse të gjitha klubet në Kosovë, shumë dobët me infrastrukturë.

Më lartë e ceka se për ta bërë këtë, futbolli duhet të jetë një projekt kombëtar dhe si shembull më të mirë e kemi Islandën. Një vend me 330 mijë banorë, ka 33 mijë lojtarë aktiv në futboll (23 mijë të regjistruar), por kjo nuk është arritur për një ditë.

Ky vend ka nisur një projekt 15 vjeçar, ku në të gjithë vendin janë ndërtuar 179 fusha, që në numër bie një fushë për rreth 1800 banorë të vendit. Nga 23 mijë futbollistë, një fushë futbolli është e dedikuar për 128 të tillë. Nëse e krahason me Ramiz Sadikun të zëmë, këtij klubi i duhen edhe tri fusha të tjera.

Lajm i madh për infrastrukturën sportive është se Lojërat Olimpike Mesdhetare do të mbahen në Kosovë në vitin 2030. Pra Kosova do të jetë e detyruar të ndërtojë terrene sportive dhe këtë e ka konfirmuar edhe ministri Hajrulla Çeku.

Brenda pesë viteve të ardhshme në Kosovë planifikohet të ndërtohen dhe rinovohen 27 stadiume, duke përfshirë edhe Stadiumin Nacional.

Ky është plani që ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku e ka publikuar para disa ditësh. Ai ka thënë se është arritur marrëveshja me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), UEFA-n, FIFA-n dhe 16 komuna të Kosovës për zbatimin e këtij projekti.

Nga ky projekt, me stadiume të rinovuara ose krejtësisht të reja pritet të bëhen shumë komuna, si Prishtina, Prizreni, Gjilani, Peja, Gjakova e Ferizaj. Nga plani pritet të përfitojnë edhe komunat më të vogla si: Shtimja, Suhareka, Rahoveci e Malisheva.

Pra vetëm me politika të tilla mund të ngritët futbolli, pasi klubet kryesore do të kishin vend ku t’i zhvillonin ndeshjet, pastaj do të punonin për të ngritur kapacitet e tyre në shkollat e futbollit me ndërtimin e fushave për stërvitje.

Shkollimi i trajnerëve, dobia te gjeneratat e reja

Para disa ditësh Kosova dhe Shqipëria zhvillonin ndeshjet e tyre eliminatore për Euro 2024, ku ajo që bie në sy ishte numri i madh i lojtarëve që janë rritur dhe zhvilluar në futbollin tonë. Në listat e përzgjedhësve Primoz Gliha dhe Sylvinho ishin 15 lojtarë që kanë lindur, rritur dhe janë formësuar në futbollin tonë.

Emra si Amir Rahmani, Vedat Muriqi, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Visar Bekaj, Bernard Berisha, Ermal Krasniqi, Albion Rrahmani, Meriton Korenica, Etrit Berisha, Ardian Ismajli, Ylber Ramadani, Mirlind Daku dhe Arbnor Muja janë formuar në futbollin kosovar dhe sot bëjnë karrierë edhe në kampionatet më prestigjioze të botës.

Pra futbolli ynë bazën për të krijuar e ka, por a mund të bëjë më shumë, absolutisht se po.

Absolutisht që një pjesë e madhe e lojtarëve shqiptarë që luajnë te Kosova dhe Shqipëria, janë rritur jashtë vendit, por deri kur do të arrijmë t’i bindim që të veshin fanellën e vendit nga vijnë prindërit e tyre, nuk e di dhe gjithmonë po bëhet edhe më e vështirë.

Po rikthehem sërish te infrastruktura dhe Islanda. Një grupmoshë në shkollat e futbollit në Kosovë që janë të organizuara ka afërisht 100 fëmijë. Për të punuar me ta duhen minimalisht tri fusha dhe pesë trajnerë, gjë që asnjë klub nuk e plotëson këtë kriter.

Maksimalisht janë dy trajnerë për një grupmoshë në çdo klub, ndërsa të gjithë stërvitin në një fushë.

Islanda para vitit 2003 nuk kishte asnjë trajner të licencuar me asnjë licencë të UEFA-s. Sot kur po flasim ka afërisht 1000 trajner të licencuar. Rreth 700 janë me licencë B, 250 janë me licencë A, ndërsa afërisht 20 janë me Pro licencë.

Rezultati: Islanda luajti në Euro 2016 dhe Kampionatin Botëror 2018. Një projekt i filluar 20 vite më parë dha frytet pas 15 vitesh. Islanda ka përfituar shumë nga futbolli, pasi të rinjtë janë angazhuar në këtë sport dhe varësia nga veset e këqija si alkooli dhe droga ka rënë me përmasa të paparamenduara në këtë vend.

Edukimi i trajnerëve duhet të jetë kryefjala e FFK-së, por jo të ndalet edukimi me një licencë, por përmes seminareve dhe politikave për zhvillimin e tyre të kërkohet edhe më shumë.

 Siç thamë më lartë bazën për të prodhuar futbollistë të kalibrit botëror e ka, por paramendoni se me më shumë punë dhe projekte zhvillimore se në çfarë superfuqie do të mund të ishim kthyer.

Ka futbollistë që për shkak të punës së vogël që është bërë me ta nuk kanë arritur të marrin vendin e merituar në bazë të talentit që posedonin.

Një trajner i shkolluar dhe i dedikuar për një numër më të vogël fëmijësh se sa menaxhon në një seancë stërvitore do të ishte në gjendje ta mësonte për shumë më shumë gjëra teknike dhe taktike që i duhen për lojën e futbollit. Ai do të ishte shumë më gati për skenën e madhe.

Pra më shumë trajner të shkolluar, më shumë trajnerë në shkolla futbolli më shumë fëmijë që e kuptojnë futbollin si lojë.

Fundja shkollimi i sportistëve dhe kuptimi i idesë së sportit do të thoshte shumë për një vend. Pasi nga një skuadër e mirë mund të dalim vetëm tre apo katër futbollistë që mund të kenë karrierë dhe futbollin ta kenë profesion, por pjesën e mbetur vendi do t’i fitonte si qytetarë që e duan dhe e ndjekin sportin, e nuk ndjekin rrugët e këqija.

Pra projekt 10-15 vjeçar, infrastrukturë dhe edukim, atëherë suksesi do të ishte i garantuar.

Ndaje