Për çka qëndron konservatorizmi?

  • Konservatorizmi përkundër ideologjive, nuk është alternativë universale dogmatike politike, por është angazhim dhe model që buron nga traditat partikulare.  
  • Konservatorizmi, përballë unikalitetit universal të ideologjive, zgjedhë unikalitetin kontekstual të secilës shoqëri veç e veç.
  • Konservatori, kur shteti shfrytëzon pushtetin dhe aparatin e dhunës për të marr nën kontroll të gjitha institucionet, ai duhet të përballet me institucionet e traditës dhe me njerëzit që e duan lirinë dhe nuk ia besojnë askujt rregullimin e të gjitha sferave të jetës, as shtetit.

Në periudhën e hegjemonisë së ideologjive postmoderne, konservatorizmi rëndom portretizohet si regresion, si kapje fanatike me të kaluarën. Sidomos në kontekstin kosovar në veçanti, konservatorizmi, ndoshta nga damkosja që iu është bërë, vazhdon të jetë ose jetim ose të karikaturohet keq. Por çfarë është konservatorizmi në të vërtetë dhe kush mund të quhet konservator?

Dijetari i njohur Islam i shekullit 13., Ahmed ibn Tejmijje, citohet të ketë thënë: “Zgjidhje greke për probleme greke”, në kuptimin që zgjidhja e problemeve gjithmonë duhet të jetë kontekstuale. Kjo qëndron edhe si parim themelor i konservatorizmit si alternativë politike, ekonomike, sociale e kulturore dhe, pashmangshëm, konteksti të lidhë me traditën e cila është edhe burim i legjitimitetit për konservatorizmin. Për traditën mund të themi se është një grumbull zakonesh, besimesh e praktikash të bartura gjeneratë pas gjenerate në shoqëri. Ndërsa konservatorizmi, edhe pse i lidhur ngushtë me traditën, është më kompleks për t’u shpjeguar. 

Një prej autorëve më eminent mbi konservatorizmin, Rusell Kirk shprehet se: “Duke qenë se nuk është fe dhe as ideologji, tërësia e mendimeve e quajtur konservatorizëm nuk ka asnjë shkrim të shenjtë dhe asnjë “Das Kapital” për të ofruar dogmat”. Pra nga Kirk kuptojmë se konservatorizmi nuk është një ideologji dogmatike e as utopi që mundohet t’na paraqes imazhin e një bote të përkryer, siç rëndom mëtojnë ideologjitë (utopitë), të cilat disa tekste të shkruara nga teoricienët i paraqesin si tekste të shenjta, duke e refuzuar apriori çdo traditë dhe duke i pranuar ato si burime të legjitimitetit.  

Nuk ekziston asnjë model konservator dhe konservatorizmi është mohimi i ideologjisë: ai është një gjendje mendore, një lloj karakteri, një mënyrë për të parë rendin shoqëror civil” vazhdon Kirk duke na e bërë të qartë se nuk ka një unitaritet të konservatorizmit për t’u bazuar meqë konservatorizmi duhet te jetë gjithmonë kontekstual, i varur nga rrethanat në të cilat ofrohet si alternativë. Një konservator ka parasysh gjithmonë se secila shoqëri ka një rrugë të veçantë nëpër të cilën ka kaluar për të arritur këtu ku është, dhe nuk mund të trajtohen të gjitha shoqëritë njerëzore njësoj për deri sa nuk kanë jetuar njësoj. Madje Joseph de Maistre, një ndër autorët më të mëdhenj të konservatorizmit perëndimor, në librin e tij “Konsiderata për Francën” thotë: “Një kushtetutë që është për të gjitha vendet, në fakt nuk është për asnjërin”. Pra konservatorizmi, përballë unikalitetit universal të ideologjive, zgjedhë unikalitetin kontekstual të secilës shoqëri veç e veç. 

Autori John Kekes thotë se: “Konservatorizmi është një moral politik. Është politik sepse është një pikëpamje rreth marrëveshjes politike që e bëjnë ose synojnë ta bëjnë një shoqëri më të mirë. Është moral sepse duhet të justifikojë këto marrëveshje që nxisin jetën e mirë”. Pra një konservator beson se edhe politika si çdo gjë tjetër duhet të kalojë nëpër disa filtra moral, të njohur për shoqërinë ku forcat politike synojnë ndryshimin, nëse një forcë politike shmangë kodet morale të një shoqërie, traditat dhe kulturën e tyre, do të krijojë probleme që nuk kanë ekzistuar në të kaluarën dhe rrjedhimisht, duke mbetur pa zgjidhje, provokohen kështu konflikte në shoqëri apo tirani nga pushteti.

Roger Scruton, një ndër kokat më gjigande të kësaj fryme politike thotë: “Konservatorizmi nuk është as armiqësi automatike ndaj shtetit dhe as dëshirë për të kufizuar detyrimet e shtetit ndaj qytetarit. Përkundrazi, konservatorizmi e konsideron individin jo si premisë, por si përfundim të politikës, një politikë që i kundërvihet rrënjësisht etikës së drejtësisë sociale, barazisë së pozitës, të ardhurave dhe arritjeve, ose përpjekjes për të sjellë institucione të mëdha të shoqërisë (siç janë shkollat ​​dhe universitetet) nën kontrollin e qeverisë.” “Këndvështrimi konservator nuk është as i vjetërsuar e as irracional. Përkundrazi, është alternativa më e arsyeshme politike. Të këqijat e socializmit qëndrojnë pikërisht aty ku mbështetësit e tij gjejnë pikat më të forta, dhe kushtet për besueshmërinë e socializmit janë zhdukur prej kohës. As socializmi dhe as liberalizmi nuk mund nuk mund të pajtohen me kompleksitetin real të shoqërisë njerëzore, dhe të dyja duken të besueshme vetëm sepse e drejtojnë vëmendjen larg asaj që është aktuale, drejt asaj që është thjesht ideale.”

Këtu Scruton tërheq vërejtjen për të bërë dallimin mes ideales, të cilën e ofrojnë si alternativë ideologjitë utopike dhe reales duke mos iu shmangur asnjëherë problemeve reale, të cilën e synojnë konservatorët. Scruton po ashtu tregon se një konservator nuk është me automatizëm armik i shtetit por vetëm atëherë kur shteti shfrytëzon pushtetin dhe aparatin e dhunës për të marr nën kontroll të gjitha institucionet, ai duhet të përballet me institucionet e traditës dhe me njerëzit që e duan lirinë dhe nuk ia besojnë askujt rregullimin e të gjitha sferave te jetës, as shtetit. Madje një konservator refuzon t’ia delegojë shtetit të drejtën për të ndryshuar institucionet e traditës, të tilla si martesa, e cila është e drejtë burimore e institucioneve tradicionale fetare dhe marrja e kësaj të drejte nga shteti ka rezultuar me deformime të qëllimit të saj primar e tradicional, duke shkelur kështu shenjtërinë e fesë në shoqëritë njerëzore. 

Gilbert Chesterton thotë se: “Ju nuk e njihni tiranin deri sa t’ju vërë poshtë. Një tiran nuk është i pranishëm deri në ditën kur bëhet i gjithëpranishëm”. Dëshmia më e fortë për këtë është tmerri që njerëzimi ka kaluar në shekullin e 20 nga tiranët e ideologjive utopike që mëtonin ta bënin botën një vend ideal për të jetuar dhe përfunduan duke e shndërruar atë në ferr, duke filluar prej nazizmit e fashizmit e deri te komunizmi. 

Kirk e përshkruan raportin e shoqërisë me traditën me shembullin e disa xhuxhëve mbi supet e gjigantëve, të aftë për të parë më larg se paraardhësit e tyre vetëm për shkak të shtatit të lartë që ata na e kanë paraprirë me kohë. Thënë ndryshe, tradita është një institucion që na garanton një sërë rrugësh të provuara më parë, për sfidat që kanë dhe rezultatet qe sjellin, në vend të përzgjedhjes së qorrsokakëve që askush me siguri nuk e din se ku të dërgojnë.

Si përfundim, konservatorizmi si alternativë reale për zgjidhjen e problemeve tona politike, shoqërore e kulturore, na ofron njohjen e problemit në gjenezën e tij. Kjo alternativë na ofron njohjen reale të subjekteve të cilat ballafaqohen me problemin, duke pasur parasysh gjithmonë rrethanat dhe të kaluarën e shoqërisë në të cilën ekziston problemi dhe synohet zgjidhja. Për më tepër, këtë e synon duke mos premtuar zgjidhje utopike e identike për probleme të veçanta të secilës shoqëri njerëzore.

 

REFERENCAT:

1 – https://kirkcenter.org/conservatism/ten-conservative-principles/

2 – “Konsiderata për Francën” Joseph de Maistre

3 – “Një çështje për konservatorizmin” John Kakes

4 – “Kuptimi i konservatorizmit” Roger Scruton

5 – “Zoti në bankën e të akuzuarve” Gilbert Chesterton

Ndaje