Katër garues, katër medalje – Kosova e konfirmoi se është shtet i xhudos

Kosova ishte qendra e xhudos evropiane në fundjavën që lamë pas, pasi shumë nga xhudistët më të mirë kontinentit të vjetër ia mësynë Prishtinës në Kampionatin e Hapur Evropian të Xhudos.

Ngjarja që u zhvillua për herë të parë, e që fatin për ta organizuar e kishte Kosova, mori nota të larta dhe vlerësime maksimale.

Mbi 40 xhudistë nga 26 shtete të Evropës morën pjesë në Kampionatin Evropian të Xhudos që u zhvillua në Prishtinë. 

Një organizim i tillë nuk u fitua rastësisht, pasi që tashmë xhudo kosovare ka fituar respekt dhe vend të rëndësishëm në xhudon evropiane dhe botërore.

Krejt kjo fal trajnerit me nivel të lartë botëror, Driton Kuka, i cili ka arritur të nxjerr xhudistë të nivelit botëror, e që ia kanë lakmi edhe shtete, si: Franca, Gjeorgjia, Holanda, Gjermania e Italia, të cilat njihen si qendra të xhudos në Evropë.

Trajneri, që fal punës së tij të palodhshme dhe talentit të sportistëve, po thyen çdo barrierë, duke e ngritur emrin e Kosovës lartë e më lartë.  

Të kthehemi te ngjarja.

Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ishte përplot me sportdashës që ishin mbledhur të shohin xhudistët e tyre të preferuar, të cilët kësaj radhe po garonin në shtëpinë e tyre për medalje.

Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Dardan Cena ishin katër garuesit tanë në këtë event.

Ata i sollën shtetit të Kosovës katër medalje, duke treguar paraqitje të jashtëzakonshme dhe duke i bërë krenarë të gjithë të pranishmit në palestër, por edhe ata që ishin duke e ndjekur ngjarjen nga shtëpia. 

Akili fitoi medalje të artë, ndërsa Distria, Nora e Dardani fituan medalje të bronzta.

Secila luftë ishte më e bukur se tjera, ndërsa xhudistët tanë dhe trajnerët Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi, treguan se me punë dhe përkushtim, arritjet në sport nuk janë të pamundura. 

Si arriti Kosova ta fitojë organizimin?

Xhudo kosovare drejtohet nga Agron Kuka, që është vëllai i Driton Kukës, një tjetër emër i respektuar i xhudos në botë.

Ka një vit që kur Qeveria e Kosovës ka miratuar programi “Kosova, shtet i xhudos”. Me këtë program, kostoja e së cilit kap 12 milionë euro, është punuar dhe po punohet për qëllim zhvillimin dhe masovizimin e xhudos në Kosovë dhe emërtimin e Kosovës si shtet i xhudos.

Përmes këtij programi, xhudo është prioritet shtetëror, gjë që po del të jetë hap i duhur, pasi përmes këtij programi do të tentohet të arrihet në gjashtë qëllime kryesore: infrastruktura, fuqizimi i kapaciteteve trajnuese, masovizimi i xhudos, mbështetjen për trajnerë dhe sportistë elitarë, si organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë dhe promovimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Pikërisht kjo e fundit u arrit në organizmin e Kampionatit Evropian të Hapur të xhudos, që u mbajt në Prishtinë. 

Kosova mori lëvdata të jashtëzakonshme nga Federata Evropiane e Xhudos, për një organizim të përkryer deri në detaje. 

Duke qenë ngjarja më e madhe e sportit të xhudos e organizuar ndonjëherë në Kosovë, u dëshmua edhe njëherë që vendi ynë ka aftësi në organizim të ngjarjeve të tilla sportive.

Ceremonia e hapjes së Kampionatit Evropian të Xhudos nisi me prezantimin e klipit “Kosova, shtet i xhudos” dhe me performancën e Ansamblit “Rugova”.

Zëvendëspresidenti i Federatës Evropiane të Xhudos, Otto Kneitinger, ishte shumë i lumtur që ky organizim u bë në Prishtinë, pasi pa rezultatet e shkëlqyera.

Kishte shumë përgëzime për organizimin e mrekullueshëm nga Federata e Xhudos së Kosovës, që përveç medaljeve që tashmë janë kthyer si të zakonshme, kjo federatë po bën edhe promovimin ndërkombëtarë të shtetit tonë në mënyrën më të mirë.

Në këtë garë vlera totale e çmimeve ishte  300 mijë euro, e ku 115 mijë u fituan nga xhudistët tanë.

Mentaliteti i Driton Kukës 

Një gjë shumë e rëndësishme që Driton Kuka ka bërë ndër vite është mentaliteti fitues që ka instaluar te xhudistët  e tij.

Përveç punës së madhe në aspektin fizik dhe taktik, shihet që është punuar shumë edhe në mentalitet, pasi që pas çdo garë, xhudistët tanë, harrojnë suksesin momental dhe fillojnë të mendojnë për garën tjetër.

Mentaliteti i fituesit është një nga gjërat më të rëndësishme në sport dhe këtë mund ta bartë te xhudistët vetëm në trajner i kalibrit botëror, si Driton Kuka, i cili tashmë me ndihmën e Majlinda Kelmendit po e rrit numrin e xhudistëve elitarë, jo vetëm në qytetin e tij të lindjes, Pejë, por edhe në qytetet e tjera.

Pas Kampionatit të Hapur Evropian, Akilin, Norën, Distrian dhe Dardanin i dëgjoje duke folur për kampionatet e ardhshëm botërore dhe evropiane dhe Lojërat Olimpike, ku synimi i tyre janë medaljet.

Mentaliteti i fituesit te ekipi i Driton Kukës ka bërë jehonë edhe tek vendet më të forta të xhudos në botë, ku shumë emra të mëdhenj dhe kombëtare me nam zbarkojnë shpesh në Pejë, për tu stërvitur dhe për të mësuar diçka më shumë nga mjeshtri i xhudos.

Kosova është me fat që ka një trajner të tillë!   

Ndaje