Femicid: A është kjo arsyeja e vrasjes së grave?

  • Femicidi përkufizohet si vrasje e grave nga burrat për arsye gjinore.
  • Por, pse atëherë nuk ka regjistrim historik të vrasjes masive te grave meqë shkaku i këtyre vrasjeve është gjinia?
  • Pse vrasësit e grave nuk vrasin edhe gratë e tjera?
  • Nëse shkak i vrasjes është patriarkati, pse numri i grave të vrara nuk është më i madh? 

Këto ditë Kosova është shokuar nga vrasja e një gruaje para syve të fëmijëve të saj, vrasje kjo e porositur nga bashkëshorti i saj, për motive akoma krejtësisht të paqarta, me gjithë dyshimet fillestare të motive financiare. Për shkak të këtij rasti të ndjeshëm, fjala kyçe që ka marrë dhe në media këto ditë ka qenë “femicidi”, bashkë me akterët kryesor të shtetit të cilët kanë vënë theksin pikërisht te kjo fjalë, si shpjeguese e rastit. Por çfarë është femicidi dhe a ekziston vërtet ai? Nëse i referohemi fjalorit në gjuhën angleze, femicidi definohet me fjalët: “vrasje e një gruaje apo vajze, veçanërisht nga një burrë për shkak të gjinisë së saj.” Pra, sipas fjalorit në fjalë, kur një burrë bën femicid, motivi ose arsyeja e krimit është thelbësisht gjinore, ose rrjedhë nga fakti që dorasi, burrë, ka problem me gjininë e viktimës, gruan. 

Megjithatë, për ta pranuar si të vërtetë këtë definim, e madje për ta propaganduar, duhet shkelur mbi disa përfundime logjike tek të cilat njeriu mund të arrijë vetvetiu kur mediton për këtë çështje.

Pyetja e parë që na vije ndërmend është: Nëse femicidi ekziston, pse atëherë nuk ka vrasje masive të grave meqë shkaku i këtyre vrasjeve është gjinia? Nëse përdorim krahasimin duke iu referuar formave të tjera të urrejtjes dhe krimit masiv, të lidhura me fashizmin, gjenocidin apo islamofobinë, do te shohim edhe në praktike se të gjitha këto kategori të urrejtjes kanë prodhuar vrasje masive në njerëz për shkak te identiteteve të tyre përkatëse, më saktësisht për shkak të racës, kombit dhe fesë.  Por kështu nuk duket të jetë çështja me femicidin meqë nuk kemi asnjë rast të shënuar kur dikush ka kryer vrasje masive në gra për shkak të gjinisë së tyre. Gjithmonë termi femicid ka ardhur në shprehje dhe është propaganduar në rastin e vrasjeve individuale të ndonjë gruaje, zakonisht nga bashkëshorte e vrasësit.

Pyetja tjetër që na vije ndërmend është se pse në shumicën e rasteve, rastet e femicidit ndodhin mes çiftit bashkëshortor. A nuk është ballafaquar vrasësi me ndonjë grua tjetër në jetën e tij ku mund të kryente akte femicidi përveç gruas së tij? A nuk kishte nënë, motër, kushërira apo edhe shoqe? Pse priti që të krijojë lidhje apo të martohet për të shfaqur femiciditetin e tij nëse vërtet gjinia ishte motivi i vrasjes? Këtë e qartësojnë edhe hetimet të cilat zakonisht hedhin dritë mbi motivin e vrasjes, motiv i cili mund të jetë financiar, motiv xhelozie, çrregullimi mendor apo diçka tjetër, por asnjëherë gjinia.

Nëse i hedhim një sy të dhënave në të gjithë botën por edhe në vendin tonë, rezulton se burrat janë shumë më tepër të prekur nga vrasjet se sa gratë. Përse tek burrat nuk qenka motiv gjinia ndërsa te gratë po? Madje nëse këtu e shtojmë edhe mendimin e propaganduesve se “gjinia është konstrukt social”, ekuacioni bëhet edhe më i vështirë, përse burrat që ndihen gra dhe i kanë kapacitetet fizike nuk kryejnë vrasje në burra për motive gjinore, ose përse gra që ndihen burra nuk e fitojnë edhe tiparin e vrasjes së grave nga shoqëria, meqë motivi është gjinia?!

Nëse duhet të rendisim fjalën e dytë më të përdorur këtyre ditëve, pas fjalës femicid, padyshim që do të rezultonte fjala patriarkat, më së shpeshti e përdorur në fjalinë “patriarkati vret.” Edhe këtu mund të vërejmë tendencën propaganduese për shtyrjen e agjendave ultraliberale përpara me qëllim përmbytjen e të gjithë rendit shoqëror dhe gjithçkaje të mirë e të shenjtë për të. Edhe këtu me disa pyetje logjike mund të rrezohet pretendimi propagandues.

Nëse shkaku i vrasjeve është patriarkati dhe ne jemi shoqëri patriarkale, pse nuk ka vrasje masive të grave? Pse shumica dërrmuese e burrave përsëri jetojnë me gratë e tyre, jo vetëm pa i vrarë por madje edhe pa i divorcuar ato, në një raport me uljet dhe ngritjet e veta si çdo raport tjetër njerëzor? Ekuacioni është i thjeshtë: nëse shoqëria është patriarkale dhe patriarkati vret, vrasja e grave do të ishte fenomen i përditshëm dhe masiv. Por, faktet dëshmojnë për të kundërtën. Edhe pse vrasja qoftë edhe e një njeriu, grua apo burrë është e tepërt dhe meriton vëmendjen e të gjithëve, sipas shumë raporteve vendore dhe ndërkombëtare, prej vitit 2000 në Kosovë janë vrarë 66 gra, dhe kjo gjendet me një kërkim shumë të thjeshtë në Google. Ndërsa, ndonëse numri i burrave të vrarë për çdo vjet është së paku dyfish sa numri i grave, gjetja e këtyre të dhënave është shumë mekanike, dhe rrjedhimisht më e vështirë. 

Pa e përmendur që edhe vet historia i demanton, meqë vazhdimisht propagandojnë se shoqëritë primitive, paramesjetare e mesjetare, të gjitha kanë qenë patriarkale, si arritën atëherë të mbijetojnë gratë në patriarkat në gjithë këto periudha pa “kartën e të drejtave dhe lirive të njeriut”, pa OJQ-të feministe e pa media për t’u raportuar krimi?! Si i mbijetuan gratë kaq masivisht (sot, dhe çdoherë, ka më shumë femra se sa meshkuj në botë), kësaj historie të shoqërisë njerëzore që është brutalisht patriarkale, sipas tyre. Përmes forcës fizike dhe aftësive të mbijetesës? Nuk e besoj. Për shkak se burrat nuk vrasin me motiv gjinie dhe patriarkati nuk vret? Ka shumë mundësi. Për më tepër, historia e njerëzimit njeh shumë raste kur burrat janë vrarë pa faj ndër të tjera edhe për shkak se janë burra, sikur në rastin e Reqakut e Srebrenicës, por nuk shënohet asnjë vrasje masive e grave që, ndër të tjera, madje, arsye është gjinia.

Pasi që është e qartë që femicidi nuk ekziston dhe patriarkati nuk vret, domosdoshmërisht na vije në mend pyetja, pse atëherë të gjitha mediat, shumica e OJQ-ve madje edhe vet qeveria janë në shërbim të kësaj propagande? Motivet sigurisht mund të jenë të ndryshe, prej financave deri te ideologjia, por çfarë i bashkon të gjithë këta akterë të propagandës është gënjeshtra për diçka që shihet qartë si dielli në një ditë pa re dhe i bashkon urrejtja për mënyrën tradicionale të të jetuarit, për shkak të përgjegjësisë morale që ajo bartë, para Zotit dhe njerëzve.

Futen në ekspertizë hetuesie për t’i qartësuar motivet e krimit të cilat sipas tyre lidhen me gjininë dhe me të qenit grua, ata që sot nuk dinë ta identifikojnë gruan, madje, sipas kuptimit të tyre, vrasësi i cili ka vrarë gruan e tij për motive gjinie, nesër vet ai mund të bëhet dhe deklarohet si grua dhe ta ndryshojë gjininë në atë të viktimës, kurdo që ndihet i gatshëm. A ka parë historia përçudje më të madhe se kjo? Nuk e besoj. Paramendojeni sikur vrasësi gjatë gjykimit të tij të deklarohet se është grua dhe të përfundojë në burgun e grave, çfarë masakre do të kryente në të burgosurat gra, do të shkaktonte femicid brutal, apo jo? Apo ndoshta edhe urrejtja dhe motivet ndryshojnë sapo thua që ndihesh grua?! Prandaj t’ia lëmë qartësimin e motiveve organeve kompetente e mos të bëhen mediat çerdhe të propagandës së njerëzve më kundërthënës në historinë e njerëzimit. Madje, klasifikimi i pasaktë i ngjarjes në terme të pasakta si femicid, ndër të tjera, është edhe paaftësi e dembeli mendjeje për t’i zbuluar saktë motivet e vrasjes. Andaj, motivet për vrasje çfarëdo qofshin, janë të ulëta, duhet dënuar rëndë, por asnjëherë gjinore dhe fshehja pas termeve të gabuara lëre që nuk zgjidhë probleme, por i kontribuon pikërisht problemit.

Ndaje