Emigrimi si ekuilibër i keq: qytetarëve dhe qeverisë i përshtatet

  • Largimi nga Kosova ka qenë i domosdoshëm për arsye ekonomike.
  • Emigrimi ka qenë zgjidhja më e lehtë dhe më e shpejtë për përmirësimin e jetesës.
  • Ekonomia e vendit ka përfituar nga emigrimi dhe kështu qeveria është kursyer nga shumë probleme.
  • Nuk mund t’i thuash askujt “mos u largo”, por përmirësimi i dukshëm i mirëqenies mund të stimulojë rikthimin.

Lindjet e larta gjatë dy dekadave para luftës 1998-1999 dhe vazhdimi pas viteve 2000 kanë bërë që struktura e popullsisë së Kosovës për dekada të dominohet nga gjeneratat e reja deri në moshën 35-vjeçare. Popullsia e re është një përparësi konkurruese për shtetet, pasi që, së bashku me kapitalin, tokën dhe talentin ndërmarrës, është një faktor ekonomik. Një pjesë e madhe e shteteve e konsiderojnë plakjen e popullsisë si shqetësim, pasi ndikon negativisht në rritjen ekonomike. Ato dizajnojnë politika për stimulimin e lindjeve dhe shpesh përmes emigrantëve furnizojnë industri të caktuara me forcë punëtore.

Ekonomia e pazhvilluar

Edhe pse popullsia shqiptare është për lakmi për nga rinia, fuqizimi i ekonomisë përmes saj ka qenë i pamundur. Kosova, edhe në kohën e Jugosllavisë, ka qenë vendi më pak i zhvilluar në Ballkan dhe Europë. Ekonomia e saj u dëmtua edhe më shumë gjatë luftës dhe shumëçka ka filluar nga e para pas vitit 1999. Edhe pas këtij viti, menaxhimi i ekonomisë nga faktori ndërkombëtar, dhe më vonë nga ai vendor, ka qenë i tmerrshëm. 

Në fillim të viteve 2000, norma e papunësisë ka shkuar deri në 55%; dekadën e fundit, ka një mesatare rreth 30%, por ka rënë nën 13% në vitin 2023. Rritja ekonomike ka qenë njëshifrore me një mesatare rreth 5%, dhe sipas Ligjit të Okunit, 2% rritje të ekonomisë ul papunësinë me 1%. Duke parë këtë pasqyrë financiare, si dhe keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e resurseve kombëtare, Kosova e ka pasur të pamundur të zgjidhë problemin e papunësisë. Një gjendje e tillë mund të shkaktojë kosto shumë të lartë shoqërore.

Emigrimi ishte i domosdoshëm dhe duhet falënderuar

Ashtu sikurse para vitit 1999, kur emigrimi i një pjese të shqiptarëve të Kosovës ishte i domosdoshëm për arsye politike dhe ekonomike, edhe emigrimi pas viteve 2000, për arsye ekonomike kryesisht, ishte i domosdoshëm. 

Me një elitë politike të korruptuar dhe një nepotizëm të tmerrshëm, ku punësimi varet kryesisht nga lidhjet politike me pushtetin dhe ryshfeti, politikat shtetërore, përfshirë ato ekonomike, vazhdimisht kanë qenë shumë të mangëta dhe me rezultate modeste. Produktiviteti jo aq i mirë për shumë vite ishte edhe në sektorin privat. Me një fjalë, angazhimi i një pjese të madhe të popullsisë, kryesisht gjeneratave të reja, ishte i pamundur në këto rrethana. 

Ikja dhe angazhimi në ekonomitë europiane ishte zgjidhja e vetme dhe kështu e lehtësoi barrën më të madhe të shtetit dhe shoqërisë. Pasojat e mungesës së mundësive ekonomike në vend do të ishin fatale për shtetin dhe shoqërinë, pasi do të sillnin krime të rënda, zhvillimin e bandave kriminale e, ndoshta, deri te lufta civile. Paradoksalisht, duhet falënderuar ata që u larguan për qëllime ekonomike nga mëmëdheu i tyre.

Pse qytetarëve u përshtatet emigrimi

Për të përmirësuar një gjendje të përshkruar më sipër, kërkohet sakrificë e madhe. Shumë qytetarë, duke menduar për mirëqenien e tyre individuale dhe për rezultate pozitive në kohë të shkurtër, kanë marrë vendimin më të mirë në interesin e tyre, për çka nuk mund t’i paragjykojë ose kritikojë askush. 

Angazhimi për ndryshim të ndjeshëm ekonomik dhe shoqëror kërkon investim të lartë personal dhe koordinim shoqëror, gjë që është shumë sfiduese për t’u arritur. Kështu, për të ndihmuar veten dhe të afërmit, e në mënyrë të tërthortë edhe vendin, me qindra mijëra qytetarë kanë emigruar për qëllime ekonomike në dy dekadat e fundit, përmes martesave, vizave të punës, por edhe në të zezën, siç thotë populli. Rreth 300 mijë qytetarë kanë emigruar vetëm dekadën e fundit.

Pse qeverisë i përshtatet emigrimi

Pasi që qeveritë vazhdimisht kanë pasur qëllim kryesor pasurimin e tyre dhe ushqimin e klientelizmit të tyre, kompetencat e tyre për hartimin e politikave me ndikim pozitiv kanë munguar dhe nuk kanë treguar vullnet për zhvillimin e tyre. Në raste të tilla, një qeveri shpreson që qytetarët do të gjejnë ndonjë zgjidhje për punësim dhe përmirësim të standardit të jetesës së tyre, plotësisht vetvetiu. 

Madje, shumë e rëndësishme, përveç që qindra mijëra qytetarë nuk janë barrë për qeveritë, ata kanë kontribuar dhe kontribuojnë shumë pozitivisht në përmirësimin e ekonomisë dhe shtetit. Pra, fillimisht, ata më nuk janë shqetësim për qeverinë; me remitencat e tyre kanë ndihmuar dhe ende ndihmojnë familjarët e tyre, çka rrit aktivitetin ekonomik dhe përmirëson deficitin tregtar të shtetit. Remitencat vitin e fundit kanë arritur vlerën mbi një miliard euro. Për më shumë, emigrantët investojnë në biznese të reja në Kosovë, sidomos në blerjen e pronave të banimit, çka e ndihmon industrinë e ndërtimit në masë të madhe.

Të metat e emigrimit

Prapëseprapë, emigrimi ka anët e veta negative, sidomos në aspektin afatgjatë. Emigrantët rrezikojnë asimilimin përgjatë dy ose tri gjeneratave. Në anën tjetër, shteti vuan nga largimi i talentit njerëzor dhe kështu nuk mund të rritë produktivitetin ekonomik dhe shoqëror në mënyrë organike. 

Vitet e fundit, shumë qytetarë brenda Kosovës, në nivel biznesi dhe individual, kanë filluar të ofrojnë shërbime për bizneset jashtë Kosovës. Kjo ka ndikim shumë pozitiv në zhvillimin ekonomik, por ekziston një shqetësim se këto grupe mund të largohen për banim në vendet ku ofrojnë shërbime, jo për arsye ekonomike, por për të tjera arsye, si cilësia e edukimit, shërbimeve shëndetësore dhe mungesa e drejtësisë dhe efikasitetit nga pushteti gjyqësor. 

Po ashtu, hapja e degëve të bizneseve në vend nga bizneset e mërgatës ka ndihmuar punësimin, mirëpo një tendencë për përshtatjen e pagave me tregun vendor nuk ndihmon në mbajtjen e talentit në vend.

Largimi i grupeve që punojnë për biznese ndërkombëtare nga distanca jashtë shtetit është një rrezik që qeveria duhet ta marrë tejet seriozisht. Përderisa emigrimi para viteve 2000 bëhej me mendimin për t’u kthyer në mëmëdhe, emigrimi i sotëm nuk bëhet më me këtë mendim. Thjesht, qytetarët largohen për jetë më të mirë dhe mendojnë të rikthehen vetëm nëse gjendja përmirësohet dukshëm. Një qeveri që nuk e ka këtë parasysh, luan me të ardhmen e kombit.

Sot, askujt nuk mund t’i thuash “mos emigro,” edhe pse nuk ke dëshirë që bashkëqytetarët të largohen. Thjesht mund t’i thuash që, kudo që jeton, të ruajë kulturën dhe kujdesin ndaj vendit tonë, me shpresë që përmirësimi i gjendjes do t’i shtyjë të rikthehen një ditë përfundimisht.

E njëjta gjendje është edhe me shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe trevave të tjera. Një bashkëkombës nga Shqipëria, i cili kishte emigruar ilegalisht në Angli, i tha BBC-së se arsyeja është se, sado fort që punon në Shqipëri, fiton vetëm për të mbijetuar.

Ndaje