- Ekziston një imponim që secila e dhënë empirike, që dekonstrukton efektet anësore të “martesave jokonvencionale”, të delegjitimohet si argument, ndonëse është faktuar në disa raste nga studiues të ndryshëm.
- Përtej evidencës që e dëshmon qartazi që fëmijët që rriten me mungesën e figurës së nënës apo babait kanë shëndet dhe mirëqenie më të dobët psikologjike, rezultatet e hulumtimeve kanë treguar që edhe ekspozimi i fëmijëve në “martesat e së njëjtës gjini”, rezulton me një gamë të gjerë të problemeve socio-emocionale dhe akademike.
- Ka një tendencë që të ndërhyhet edhe në kurrikulat shkollore, qoftë në shkollimin e mesëm dhe fillor, e shumë herë më tepër në atë universitar, si mënyra më e sigurt që të pastrohet çdo kundërshtim i mundshëm. Raportimi dhe denoncimi, deri në heqje të licencave, është “leva frikësuese”, që synon t’i pastrojë kundërshtarët eventual.
Propaganda që fshihet prapa togfjalëshit “të drejtat e njeriut” ka errësuar te shumëkush pamjen e të dhënave shkencore sa i përket prindërimit. Evidenca shkencore që buron nga shkencat sociale që përfshijnë edhe studime metanalitike, në veçanti nga psikologjia, e tregojnë qartazi rëndësinë e nënës dhe babait në rritjen dhe zhvillimin psikologjik të fëmijëve. Për më tepër, këto studime sugjerojnë se nuk mund të ketë mbivendosje në këto dy role, por as zëvendësim të tyre.
Një nga studimet më të rëndësishme metanalitike, ka gjetur efekte të jashtëzakonshme negative të mungesës së babait në rritjen dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të fëmijëve, por në veçanti në komponentin e shëndetit dhe mirëqenies psikologjike. Rezultatet e dhjetëra hulumtimeve të përfshira në analizën përfundimtare të raportit të McLanahan (2013), tregojnë që mungesa e babait e ndikon zhvillimin socio-emocional, duke rritur problemet në sjellje. Madje, ekziston edhe mbështetje modeste për ndikimin që mund të ketë mungesa e babait në zhvillimin e aftësive kognitive të fëmijës. Për më tepër, mungesa e babait që në fëmijërinë e hershme mund të ketë pasoja afatgjata, që shtrihen deri në adoleshencë, dhe që rezultojnë në rritjen e sjelljeve të rrezikshme, përfshirë konsumimin e duhanit, alkoolit, drogave apo edhe shtatzënive të hershme të padëshirueshme (McLanahan et al., 2013).
Në anën tjetër, mungesa e nënës mund të shkaktojë pasoja edhe më të mëdha për fëmijën, sepse roli i nënës në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës është krucial, në veçanti në krijimin e aftësisë së fëmijës për të besuar dhe për t’u ndjerë i sigurt në ndërtimin e marrëdhënieve me të tjerët. Atashimi apo lidhja emocionale e nënës me fëmijën është thjeshtë e pazëvendësueshme. Fëmijët mund të krijojnë edhe raporte të tjera, por mungesa e atashimit të mirëfilltë me nënën në fëmijërinë e hershme prodhon deficit të madh psikologjik, social e emocional. Fëmijët që janë rritur me mungesën e nënës përgjatë fëmijërisë shfaqin probleme të theksuara emocionale dhe tendenca antisociale (Fitzgibbons, 2015). Fëmijët preferojnë nënën në rastet kur janë të sëmurë, kur kanë uri, kur frikësohen apo kur përjetojnë shqetësime të tjera. Nënat konsiderohen si “qetësi” për fëmijët, ato përgjigjen në mënyrë më efektive ndaj kërkesave që vijnë nga fëmijët, janë në gjendje që të kuptojnë më lehtë dhe më mirë emocionet e fëmijëve.
Një numër i madh studimesh tregojnë për mënyrat e ndryshme të prindërimit, që vijnë nga nënat dhe baballarët, për të konfirmuar dallimet signifikante edhe në rezultatet e fëmijëve (Endendijk et al., 2016 & McKinney and Renk, 2008). Nënat janë përshkruar si më tolerante, më autoritative dhe të mbipërfshira në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve, përderisa baballarët më autoritarian (McKinney and Renk, 2008). Pra, dy “nëna” nuk mund të krijojnë figurën e një babai, ashtu siç dy baballarë nuk mund të zëvendësojnë asnjëherë figurën e nënës.
Përtej evidencës që e dëshmon qartazi që fëmijët që rriten me mungesën e figurës së nënës apo babait kanë shëndet dhe mirëqenie më të dobët psikologjike, rezultatet e hulumtimeve kanë treguar që edhe ekspozimi i fëmijëve në martesat e së njëjtës gjini, rezulton me një gamë të gjerë të problemeve socio-emocionale dhe akademike. Në studimin e vitit 2015 të Sullins, me një mostër prej 207,007 fëmijëve, problemet emocionale ishin dyfish më të larta në mesin e fëmijëve të rritur në martesat e së njëjtës gjini. Një tjetër hulumtim i realizuar në vitin 2012 ka treguar që fëmijët e rritur në martesat mes gjinisë së njëjtë, kanë treguar potencial më të lartë për të përjetuar një gamë të gjerë të problemeve emocionale dhe relacionale. Në veçanti në aspektin e raporteve me të tjerët, këta fëmijë tregojnë probleme të theksuara në krijimin e lidhjeve, kur të rriten kanë vështirësi në krijimin e raporteve intime, kanë më pak aftësi për të besuar dhe mbështetur tek të tjerët dhe përjetojnë nivele më të theksuara të ankthit (Sirota, 2009). Fëmijët që rriten në martesat e së njëjtës gjini tregojnë gjithashtu edhe nivele më të larta të depresionit, abuzimit me drogë dhe ide vetëvrasëse (Regnerus, 2012; Robertson, 2022). Ndërkaq, problemet e fëmijëve që rriten në martesat e së njëjtës gjini shtrihen edhe në fushën e edukimit. Studimet e realizuara në Kanada (Allen, 2013), kanë treguar që fëmijët e rritur në martesat e së njëjtës gjini kanë treguar më pak gjasa për të diplomuar dhe rezultate shumë më të dobëta akademike (Potter, 2012) në raport me fëmijët e martesave të gjinisë së kundërt.
Si përfundim, mund të thuhet që mbështetur edhe në evidenca shkencore, “prindërimi” në martesat jokonvencionale nuk është i sigurt për zhvillimin e shëndetshëm psiko-social të fëmijëve për shkak se figura e nënës dhe babait është e pazëvendësueshme. Më tutje, sikur fëmijët e “martesave mes gjinisë së njëjtë”, ashtu edhe fëmijët e prindërimeve tjera jokonvencionale, kanë rezultuar me një gamë të gjerë të problemeve që prekin edhe performancën akademike, ndër të tjera.
*Autori i këtij punimi ka preferuar të qëndrojë anonim për shkak se opinionet e shprehura në këtë shkrim mund të rezultojnë me penalizime.
Referencat
- Allen, D. W. (2013). High school graduation rates among children of same sex-households. Review of Economics of the Household 11: 635-58.
- Endendijk, J. et al. (2016), “Gender-differentiated parenting revisited: Meta-analysis reveals very few differences in parental control of boys and girls”, PLoS ONE, Vol. 11/7, pp. 1-33, http://dx.doi.org/10.1371/journal.pone.0159193.
- Fitzgibbons, R. P. (2015). Growing up with gay parents: What’s the big deal? Linacre Quarterly, 82(4): pp. 332–336. Retrieved July 1, 2017 from https://www.ncbi. nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC4771005/.
- Regnerus, M. (2012). How different are the adult children of parents who have same-sex relationships? Findings from the New Family Structures Study. Social Science Research 41: 752-70.
- McLanahan, S., Tach, L., & Schneider, D. (2013). The Causal Effects of Father Absence. Annual Review of Sociology, 39, 399-427. http://dx.doi.org/10.1146/annurev-soc-071312-145704.
- McKinney, C. & Renk, K. (2008), “Differential parenting between mothers and fathers: Implications for late adolescents”, Journal of Family Issues, Vol. 29/6, pp. 806-827. http://dx.doi.org/10.1177/0192513X07311222.
- Sirota, T. (2009). Adult attachment style dimensions in women with gay or bisexual fathers. Archives of Psychiatric Nursing 23: 289-97.
- Sullins, D.P. (2015). Emotional problems among children with same-sex parents: Difference by definition. British Journal of Education, Society and Behavioural Science (January 25), http://dx.doi.org/10.2139/ssrn.2500537.