- Kosova po përpiqet të ndryshojë gjendjen në terren, rrjedhimisht të përmirësojë pozicionin në negociata.
- Serbia mendon se përmes autonomisë së serbëve në Kosovë, do ta ripushtojë Kosovën përsëri në të ardhmen kur gjeopolitika globale të ndryshojë.
- Autonomia e serbëve, si model i pranuar nga ndërkombëtarët, vështirë e shmangshme.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare në vitet 1998-1999 e bëri Kosovën çështje të politikës globale, ndërsa krimet e Serbisë dhe refuzimi i marrëveshjes së Rambujesë, sollën reagimin ndërkombëtar me intervenimin e NATO-së që i dha fund luftës, por duke mos e zgjidhur çështjen përfundimisht.
Statusi u zgjidh me Planin e Ahtisaarit në vitin 2008. Ky plan i dha serbëve të drejta jo vetëm për të ruajtur identitetin e tyre kulturor, por edhe fuqi të rëndësishme politike me mekanizma sikurse formimi i komunave me shumicë serbe, vende të rezervuara në Kuvend dhe Qeveri, të drejtën e vetos për ligje të rëndësishme dhe autonomi të plotë për Kishën Ortodokse-Serbe.
Ashtu siç pritej, plani nuk kaloi në Kombet e Bashkuara dhe nuk u pranua as nga Serbia, por serbët i fituan kompromiset. Kosova e pranoi planin njëanshëm sepse kështu fitoi pavarësinë e kushtëzuar.
Pas refuzimit të Serbisë, nevoja për një marrëveshje përfundimtare mbeti, e që kuptonte se Kosova do të pranonte kompromise tjera. Kështu, filloi dialogu teknik e që dihej që do të përfundonte në dialog politik. Shumë marrëveshje u nënshkruan, mirëpo pak u zbatuan.
Marrëveshja për asociacionin e cila iu jep autonomi komunave me shumicë serbe ende shkakton probleme. Një pjesë e saj u shpall jo-kushtetuese, por kërkesa për jetësimin e saj vazhdon si nga Serbia ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar si ndërmjetësues.
Përpjekjet për ta ndryshuar gjendjen në Veri
Me ardhjen e LVV-së në pushtet në vitin 2021 me 51% të votave, pritej një politikë më kundërshtuese ndaj Serbisë, por larg prej asaj që premtohej. Tema kryesore me Serbinë në njërën anë dhe me ShBA-në e BE-në në anën tjetër, mbeti asociacioni. Kryeministri Kurti nga kundërshtar i plotë, tani mundohej të gjente formën më pak të dëmshme për jetësimin e saj dhe ky të ishte kompromisi i fundit. Ndryshe më vonë do të kërkohen edhe kompromise tjera në negociata.
Kështu filloi një betejë ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë për të ndryshuar gjendjen në terren me qëllim të përmirësimit të pozitës në dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga ShBA-ja. Të gjitha veprimet që rrodhen, sikurse çështja e targave, arrestimi i krimineleve serbë në veri, dërgimi i Njësisë Speciale për mbrojtjen e kryetarëve të zgjedhur të komunave të veriut janë pjesë e këtij qëllimi. Sigurisht, presidenti serb e kishte të lehtë të merrte kundërveprime sepse posedon instrumente të shumta në duar të cilat që nga pas lufta legalisht dhe jo legalisht kanë fituar terren në Kosovë.
Dërgimi i Njësisë Speciale të policisë në veri për të ofruar siguri për kryetarët të posa zgjedhur dhe vendet e tyre të punës shkaktoi reagime armiqësore dhe kriminele nga instrumentet e Serbisë, por edhe u prit keq nga ShBA-ja dhe BE-ja sa që vendosen masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Kontrolli i ndërtesave të komunave, ani pse me vështirësi, dhe vendosja e simboleve të Kosovës ishte pozitive pasi që për herë të parë u mundua të tregohet sovraniteti i Kosovës në veri. Po ashtu, arrestimi i disa krimineleve serbë si instrument të shtetit serb që sulmuan policinë, KFOR-in e gazetarët ishte hap pozitiv dhe arritje e rëndësishme, por lirimi i shpejtë i tyre është shenj e lëshimit pe ndaj kërkesave të Serbisë, nëse nuk janë liruar me kërkesë të diplomatëve të huaj.
Ngjarjet madhore kanë ndikim të ndjeshëm në proceset dhe zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore. I tillë ishte edhe rasti i sulmit në Banjskë nga paramilitarët serbë ku një polic u vra. Ky veprim i dështuar i Serbisë dhe menaxhimi i mirë nga mekanizmat e sigurisë i dhanë mundësi një prezence dhe kontroll të ndjeshme të policisë në veriun e Kosovës. Pas vrasjes së policit dhe dështimit të grupit kriminal atje, nuk kishte rezistencë si të më hershme nga mekanizmat e Serbisë, përfshirë edhe rezistencën përmes qytetarëve. Si rrjedhim, tani për tani, pozicioni i Kosovës është forcuar në veriun e Kosovës, por kapitalizmi i tij në arenën ndërkombëtare mbetet sfidë.
Qasja e faktori ndërkombëtar nuk përputhet plotësisht me synimet e Kosovës
Përkundur përkrahjes për lirinë e Kosovës, ShBA-ja dhe BE-ja nuk kanë mbështetur mjaftueshëm një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare me Serbinë. Problemin e veriut, ShBA-ja mund ta zgjidhë lehtë, por gjendjen e tanishme nuk e sheh si problem urgjent dhe të nevojshëm për t’i dhënë fund. ShBA-ja, si pjesë e grand strategjisë së saj, në as një konflikt ndërmjet dy vendeve nuk merr njërën anë përgjithmonë dhe plotësisht.
Largimi i Serbisë nga orbita ruse dhe frenimi i aleancës me Kinën, e cila shpesh harrohet si fakt, janë më të rëndësishme edhe pse vështirë se mund të ndodhin. Si rezultat, qasja me Serbinë është shumë e butë dhe në dëm të Kosovës, e kjo e fundit është plotësisht e pa përgatitur fal politikanëve naivë për më shumë se dy dekada.
Pak a shumë edhe BE-ja e ka një qasje të ngjashme, pret kompromise nga Kosova e zgjidhjen përfundimisht e sheh kur të jenë rrethanat për anëtarësim e Serbisë në BE.
Faktori ndërkombëtar mbështetjen e Kosovës deri në këtë pikë e sheh të mjaftueshme dhe tanimë interes shumë më i rëndësishëm është Serbia.
Asociacioni i shërben Serbisë
Serbia e dëshiron asociacionin sepse autonomia e komunitetit serb i shërben për disa qëllime. Fillimisht, serbët do të jetojnë thuajse të paprekshëm nga institucionet e Kosovës dhe kështu do të kishin një lloj kënaqësie e të qenit të privilegjuar. Kosova do të ishte vend atraktiv për serbët për të jetuar apo edhe të ardhur nga Serbia.
Pastaj, përmes kësaj autonomie do të jetë gjithmonë pengesë për përparimin e Kosovës duke e ditur se serbët do t’i ketë gjithmonë instrument dhe pa marr parasysh se çfarë do të ndodhte do të vepronin ashtu siç kërkon, me dëshirë apo imponim.
Përfundimisht, Serbia mendon se përmes autonomisë së serbëve në Kosovë, do ta ripushtojë Kosovën përsëri në të ardhmen kur gjeopolitika globale të ndryshojë pasi që autoriteti i perëndimit do të sfidohet edhe më shumë në të ardhmen nga fuqitë globale në rritje.
Kosova vështirë të ndryshojë gjendjen e saj në negociata
Kosova vazhdon të përballet me shumë sfida, e për të cilat fajtor janë institucionet e saj. Vazhdimisht, qeveritë kanë marrë vendime të gabuara si për politikat e brendshme ashtu edhe të jashtme. Kryeministrit Kurti e pranoi planin Franko-Gjerman dhe Marrëveshjen e Ohrit pa nënshkrim nga ana e presidentit serb, por duke pohuar se ka marrëveshje mes palëve gojarisht e cila sigurisht nuk e ka të njëjtin ndikim në terren sikur të ishte e nënshkruar. Tregues se ende mungon mprehtësia për arritjen e rezultateve që mund ta ndryshojnë zhvillimin e ngjarjeve në të mirë të Kosovës.
Është e vështirë të mendosh se Kosova do të arrijë të marrë atë që duhet pasi që situata vetëm është ndërlikuar. Faktori politik e ka të pamundur të bashkohet dhe të ketë një politikë të përbashkët, qoftë edhe përballë Serbisë. Serbia përmes instrumenteve të veta ilegale mund të marrë veprime kurdoherë për të mbajtur situatën nën tension apo për ta provokuar sa herë që të ketë nevojë, si rrjedhim t’i kundërpërgjigjet secilit veprim të Kosovës për ta ndryshuar gjendjen në terren.
Sidoqoftë, nuk duhet të hiqet dorë nga e drejta për sovranitet dhe duhen përpjekje të përfitohet sa ma shumë nga partneret duke mos harruar se nuk janë perfekt. Kosova edhe mund të lëshojë pe, edhe për asociacionin, por nëse ky kompromis nuk sjellë përfitime të rëndësishme për Kosovën, e që synimi kryesor duhet të jetë anëtarësimi në NATO, apo njohja e mëvetësisë nga Serbia, atëherë e ardhmja e Kosovës do të lëndohet edhe më shumë.