Çfarë e prodhoi këtë urrejtje?

  • Padurueshmëria e asaj që pandehet si “elitë” përballë identitetit të shqiptarit mesatar, e cila manifestohet madje me privimin e vajzave nga mësimi, vetëm se thyen konturat e vëna nga këta “prijatarë” të shoqërisë.
  • Autori shtron pyetjen e cila është esenciale për ta kuptuar urrejtjen e kësaj pakice përballë vlerave dhe besimeve që janë tek masa e gjerë, që shpërfaqet nëpërmjet një diskursi arrogant dhe sulmues. 
  • Në fakt, çfarë bartë në ndërtimin dhe në të nënvetëdijshmen e tij ky individ? 
  • Në pamundësi për t’u shëruar nga kompleksi i inferioritetit, ata u kthyen edhe kundër prindërve të tyre dhe asaj se çfarë përfaqësonin ata.

Në vitin 1959, televizionet amerikane e transmetuan dokumentarin “The hate that hate produced” (“Urrejtja të cilën urrejtja e prodhoi”). Ky material ishte prodhuar prej grupeve supremaciste me ngjyrë, të cilat si reaksion ndaj keqtrajtimit nga të bardhët kishin arritur në nivele të larta urrejtjeje ndaj çdo gjëje që ndërlidhej me racën e bardhë. 

Kjo ngjarje tmerroi masën e popullsisë së bardhë amerikane, të cilët deri në atë kohë nuk kishin qenë të vetëdijshëm se sa urreheshin nga një pjesë e popullsisë së zezë amerikane. Ky episod pati ndikim të madh në lëvizjet për të drejta shoqërore gjatë viteve të 60-ta dhe 70-ta, sidomos në raport me ato racore. Një pjesë e aktivistëve të bardhë që ndihmonin kauzën e personave me ngjyrë, me të drejtë kërkonin shpjegim se pse urreheshin. Raportet ndërshoqërore shpesh kanë struktura të ngjashme dhe përplasje në mes tyre, prandaj ky rast nuk është ekskluziv për një popull apo për një vend, kurdo që plotësohen rrethanat e njëjta atëherë ai fenomen përsëritet.

“Debati” mbi mbulesën

I kalojmë shpejt 60 vite në kohë dhe arrijmë tek vendi ynë. Ka shumë dekada, para dhe pas luftës, që në qarqe të larta të jetës publike në Kosovë nuhatet një averzion ndaj çdo gjëje që asociohet me islam, sidomos nga vija akademike, institucionale dhe mediatike. Kishte tone të cilat mundoheshin ta minimizonin të vërtetën e kësaj nuhatjeje. Mirëpo, ja ku jemi në vitin 2022, kur u rihap çështja e mbulesës – në një shoqëri që pak muaj më parë organizoi paradë, duke përfshirë dhe instrumentalizuar fëmijët e mbështjellë me flamurin e ylberit. Nëse një personi neutral do t’i përshkruhej ky realitet i freskët, në mënyrë racionale do të mendonte – që në një shoqëri kaq liberale çështja e një materiali mbi kokë, që vajzat e vendosin dhe duan të edukohen pa e cunguar identitetin e tyre – do të shihej si diçka lehtë e kalueshme dhe e pranueshme. Një shoqëri ku theksohet se gruaja margjinalizohet, barrierat në shkollim për vajzat që vendosin të bartin mbulesën, flasin për paradoksin e “elitës” tonë.

Mirëpo, jo. Prijatarët e emancipimit të kësaj “shoqërie liberale – progresive” tash shfaqen nën lëkurën e një egërsire, shumë të dhunshme, arrogante e nënçmuese. 

Pra, për diçka që në shumicën e demokracive liberale të krishtera nuk paraqitet si problem, kjo del të jetë e patejkalueshme për bindjet e disa pjesëtarëve të këtij populli. Nga kjo kuptohet që problemi nuk qëndron tek bindjet e tyre, sepse në masë të madhe këta njerëz nuk kanë ndërtim konsistent mbi ndonjë botëkuptim, për të cilat hamendje të paktën e merr mundin t’i kundërshtosh përmes argumentit filozofik. 

Ideologjitë, apo edhe besimet fetare, në vetvete janë grumbuj konceptesh që për dikë bëhen shumë abstrakte. E kur kjo i ndodhë njeriut, ai përmes besimit dhe bindjeve të veta i shfaq anët më të errëta nga bagazhi i ndërtimit të tij, të nënvetëdijshmes së tij. Në përpjekje për të shkuar tek rrënja e problemit se pse shqiptari afetar është shumë racist ndaj çdo gjëje islame duhet të gjurmojmë më thellë. Pra, pse del të jetë një korrelacion pozitiv, që proporcionalisht me thellimin e tij në dije mbi nacionalizmin dhe histografinë shqiptare, tek ai krijohet një neveri ndaj çdo gjëje islame. Në fakt, çfarë bartë në ndërtimin dhe në të nënvetëdijshmen e tij ky individ? 

Unë nuk besoj që nacionalizmi i pionerëve rilindas është fajtor. E si do të sillnin ata nacionalizëm (antiislam) kur shumica e kokave të tyre kishin ndërtim e sfond islam; të paktën nominal, flisnin gjuhën arabe e turke më rrjedhshëm se sa pjesëtarët vendas madje, derisa mbledhjen qendrore ku u ideua e ardhmja e shtetit shqiptar vendosën ta zhvillonin në një xhami. Sigurisht, ata përdorën elemente dhe simbole të caktuara që të tërhiqnin vëmendjen e fuqive të asaj periudhe për agjendat politike të kohës, mirëpo kjo nuk i bënte ata që të ndiheshin inferiorë me identitetin e popullit të tyre. Por, fatkeqësisht, për shkak të rrjedhës së ngjarjeve politike nacionalizmi i rilindësve shumë shpejt u shartua me ideologjinë morbide marksiste dhe komuniste, ku tash e asokohe ne vazhdojmë t’i vjelim frytet e saj si shoqëri. Aq thellë është ngulitur kjo në psikikën e disave sa që as në kohën e ultraliberalizmit nuk po arrijnë të çlirohen prej saj.

Në njërën anë, Enver Hoxha me versionin e tij më ekstrem të marksizmit e vendosi islamin në shënjestër si diçka prej së cilës duhej çliruar për të marshuar drejt identitetit të ri. Në anën tjetër, Jugosllavia nga viti 45 e tutje po ashtu i shënjestroi myslimanët dhe islamin si pengesën kryesore që nuk lejonte vëllazërim-bashkimin me popujt sllavë brenda Jugosllavisë. Këtë nuk e them unë, mirëpo raporti i Komisionit Ndërkombëtar për Kosovën nga Shtypi i Universitetit të Oksfordit, i cili në raport thekson se si myslimanët shqiptarë ose dëboheshin ose vriteshin. Edhe pse më vonë ndodhi çarja mes komunizmit në Shqipëri dhe atij në Jugosllavi, në raport me luftimin e identitetit islam ata mbeteshin një; në Shqipëri kjo u bë haptazi ku shteti u shpall ateist, kurse në Kosovën e ish-Jugosllavisë kjo bëhej në forma më tinëzare dhe perfide nga pushteti, ku plani për vdekjen e identitetit islam ishte afatgjatë dhe i heshtur. 

Pikërisht nga këto dy vatra botëkuptimesh pastaj rrodhi e gjithë shtresa intelektuale, mediatike, e institucionale tek populli ynë. Fatmirësisht disa shpëtuan. Një pjesë kishin vendosur t’i përshtateshin sistemit jugosllav, një pjesë tjetër e mëtonte Shqipërinë, mirëpo rrugët e të dyjave kryqëzoheshin tek urrejtja kronike mbi çdo gjë islame, përndryshe, shqiptarin mesatar të asaj kohe. Shkonin në shkolla e universitete të kohës, e në shtëpi neveriteshin nga prindërit e tyre. Në vend që ta shëronin veten nga sëmundja e ndjenjës së inferioritetit tentonin t’i ndryshonin prindërit e tyre të gjorë në traditat e tyre.

Prandaj, çështja e shamisë nuk është esenca e këtij debati polarizues, mirëpo tek ajo se çfarë traume iu shfaq disave nga e kaluara e tyre ky simbol islam. Të njëjtën e shkaktoi ndërtimi i xhamisë, debati mbi ezanin, etj. Traumat duhet të evidentohen dhe të trajtohen, e kjo ndodhë vetëm pasi i sëmuri edukohet dhe kërkon ndihmë. Pjesa e mbetur e shoqërisë (shumica) nuk mund të bëjë kompromis për shkak të çrregullimit të një pakice të saj. Vajzat me mbulesë ka kohë që vijojnë mësimin dhe udhëzimi administrativ nuk përfillet, mirëpo kërkesa që të shfuqizohet ai, duhet të vazhdojë deri në shërimin nga ankthi të gjithë atyre që reagojnë egërsisht e joracionalisht kur shohin simbole islame. Pra, shkurt e shqip jemi të interesuar t’ju shërojmë.

Ndaje