Basketbolli kosovar, shikueshmëri dhe rivalitet, por jo edhe kualitet

Basketbolli kosovar është kthyer ‘fuqishëm’ në vitet e fundit, ku klubet kryesore janë organizuar dhe kanë kthyer edhe rivalitetin e dikurshëm.

Si sporti i dytë më i madh në Kosovë për nga shikueshmëria në vitet e fundit, basketbolli është i pari.

Palestrat në Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Prishtinë, Suharekë, Prizren, sidomos në derbi janë të stërmbushura.

Tre tituj të fundit kanë shkuar në Dukagjin, ku dy herë fitoi Golden Eagle Ylli, ndërsa të fundit Peja.

Rënia e Prishtinës ka bërë që rivaliteti të rritet, ndërsa këtë vit, Trepça, Peja, Ylli dhe Prishtina llogariten si më të fort, por pa përjashtuar Vëllaznimin që shpesh ka ditur të bëjë befasi.

Për t’u fuqizuar klubet, ka ndikuar edhe Ligji për sponsorizim, pasi që klubet e basketbollit edhe në të kaluarën kanë qenë të njohura për afrimin e sponsorëve të shumtë.  

Shikueshmëria

Siç e ceka më lartë, shikueshmëria vazhdon të mbetet e lartë, sidomos në ndeshjet derbi, ku shpeshherë tifozët dalin me orë të tëra më herët për të siguruar një biletë.

Vendimi i FBK-së vazhdon të mbetet në fuqi, ku tifozët mysafir nuk mund të udhëtojnë në ndeshjet jashtë.

Kjo për shkak të sjelljeve jo të mira, ku shpeshherë i kanë ndërprerë ndeshjet, për arsye edhe më banale.

Vazhdojnë të hidhen gjësende në parket dhe drejtim të lojtarëve, por edhe të tifozëve kundërshtarë, ndërsa as ofendimet në kor nuk mungojnë.

Të gjitha këto kanë bërë që rivaliteti të ekzistojë, por jo siç do të ishte me të dyja tifozërit më parket.

Ky vendim mund të largohet në play-off, por që duket e vështirë. 

Por, si qëndrojnë skuadrat dhe sa janë minutat e lojtarëve vendore?

Ky vazhdon të mbetet problemi më i madh në basketbollin kosovar, pasi që barrën kryesore në të gjitha skuadrat e mbajnë lojtarët e huaj.

Kjo prodhon efektin e shikueshmërisë, por në anën tjetër ndikon në zhvillimin e ngadalshëm të talenteve tanë, gjë që vërehet edhe në paraqitjet e Përfaqësueses së Kosovës.

Rregulli që lejon pesë të huaj për çdo skuadër, ndërsa tre në parket, i favorizon të huaj, si në minuta të luajtur, ashtu edhe në paga. Pothuajse çdo skuadër e mbush numrin e të huajve, pra pesë.

Ta marrim vetëm një shembull të thjeshtë. Në ndeshjen Prizreni – Peja që u mbyll me rezultat 93-111, gjashtë lojtarët më të mirë në parket nga dy skuadrat ishin të huaj.

Desi Sills (SHBA) me 21 pikë, Ty Cockfield (Austri) me 19 pikë, Isaiah Kelly (SHBA) me 16 pikë ishin më të mirët te Prizreni, ndërsa dyshja vendore Edmond Kryeziu me 12 pikë dhe Urime Zenelaj me 11 pikë dhe 13 kërcime, ishin më të mirët te prizrenasit.

Nëse marrim një mesatare të minutave për lojtarët e Prizrenit që kishte katër të huaj, një lojtar i huaj qëndroi në fushë mesatarisht 24 minuta, ndërsa 16 mbesin për vendorët. Në raste kur janë pesë të huaj në një skuadër minutat shkojnë deri në 30 me 10 në të mirë të të huajve.

Në anën tjetër te Peja, Justin Edler-Davis (SHBA) me 30 pikë, Jay Chandler III (SHBA) me 19 pikë dhe Sadio Doucoure (Senegal) me 18 pikë ishin më të mirët te Peja. Lojtari vendor me më shumë minuta ishte Jetmir Zeqiri, që qëndroi në parket mbi 24 minuta dhe shënoi 12 pikë.

Edhe te Peja të tre të huajt që shënuan pikë më shumë, qëndruan në parket mbi 33 minuta secili.

Pra, zakonisht të huajt luajnë mbi 30 minuta secili, ndërsa është e rrallë të gjendet ndonjë lojtar vendor që luan mbi 30 minuta.

Këto statistika konfirmojnë rëndësinë e lojtarëve të huaj në elitën e basketbollit dhe mungesën e minutave për lojtarët vendor.

Te Trepça që ka vendorët më të mirë në Superligën e Kosovës, Drilon Hajrizi dh Mikaele Tmusic që është i natyralizuar, janë ata që kanë zakonisht më shumë minuta, kjo edhe për shkak të kualitetit të tyre.

Ndikimi i kësaj dukurie te rezultatet e Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës në vitin 2023 zhvilloi katër ndeshje për kualifikueset për Euro Basket, ku në grup ishte me Zvicrën dhe Danimarkën, në rrethin e tretë.

Edhe pse duke e parë nivelin e kampionatit tonë, pritej që Kosova me përzgjedhësin Rami Hadar në krye të kalonte tutje, por nuk ia doli.

Kosova mori dy fitore ndaj Zvicrës, por dështoi në të dyja takimet ndaj Danimarkës, sidomos në përballjen e dytë që zhvillohej në Kosovë, e ku fitorja i dërgonte tutje.

88 – 63 ishte rezultati i kësaj ndeshjeje që u zhvillua në fillim të gushtit, e ku lojtarët kryesor Drilon Hajrizi dhe Dardan Berisha nuk arritën të tregonin asgjë.

Dardan Kapiti, Musab Mala dhe Arian Çallakaj morën minuta në këtë ndeshje, por duke i parë minutat e pakët që i kanë në Superligën e Kosovës në basketboll, atëherë nuk pritej që diferenca të bëhej nga këta të tre.

Pra, Kosova nga një fitore larg, tani rrethin e katërt, apo atë përfundimtar për t’u futur në fazën e grupeve, duhet ta shikojë nga shtëpia.

Prodhimi i pakët i lojtarëve dhe se emrat si Hajrizi, Berisha, Gëzim Morina, që vazhdojnë të mbesin lojtarët kryesor tash e dhjetë vite, tregon për mungesën e talenteve vendas për këtë sport.

Është e vështirë të flasim për ndonjë emër konkret që mund të luajë në ndonjë nga ekipet kryesore evropiane, e lërë më për NBA.

Dështimi i klubeve në garat ndërkombëtare 

Peja si kampione dhe Trepça si nënkampione, morën pjesë në garat evropiane, fillimisht në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe EuroCup që janë gara evropiane për klube të nivelit të dytë.

Rezultatet e tyre ishin të dobëta. Peja fillimisht nuk ia doli të futej në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve duke pësuar humbje nga klubi danez Bakken Bears me rezultat 103-79.

Pejanët pastaj luajtën në EuroCup ku nga gjashtë ndeshje, morën dy fitore dhe katër humbje.

Në anën tjetër Trepça fitoi dy ndeshje në kualifikimet për EuroCup, por që në fazën e grupeve mori vetëm një fitore dhe tri humbje.

Në anën tjetër Prishtina nuk u lejua të merrte pjesë në ENBL, shkaku i borxheve, ndërsa vazhdon pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike, një ligë që hetohet dhe akuzohet shpeshherë për kurdisje të ndeshjeve. 

Kjo tregoi që niveli për garat evropiane vazhdon të jetë i dobët edhe përkundër investimeve që në klubet kryesore arrijnë deri në 1 milion euro.

FBK për të rritur nivelin e lojtarëve vendor, ndoshta duhet ta rishikojë rregullin e lojtarëve të huaj, jo për garat ndërkombëtare, por për ato vendore, që kualiteti i lojtarëve vendor të rritet.

KB Prishtina ka filluar së fundmi një punë të madhe në shkollën e basketbollit, gjë që po ndiqet edhe nga klubet e tjerë të mëdha në vend. Kjo pasi edhe KB Peja ka regjistruar dhjetëra fëmijë nga 5 deri në 17 vjeç që e duan lojën e basketbollit. Kjo të paktën, një hap ka filluar e që duhet punuar në të shumë, që gjeneratat që vijnë të kenë më shumë hapësirë në të ardhmen në elitën e basketbollit tonë.

Ndaje